Hapet gara “Art i Ripërdorimit” për nxënësit e SH.F.M.U-ve të komunës së Prishtinës

Përmes projektit “Art i Ripërdorimit”, projekt ky që financohet nga komuna e Prishtinës, Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën fton të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta (klasët VI – IX) të komunës së Prishtinës që të marrin pjesë në garën “Arti i Ripërdorimit” për prezentimin e kreacioneve artistike të punuara nga mbeturina […]

Përmes projektit “Art i Ripërdorimit”, projekt ky që financohet nga komuna e Prishtinës, Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën fton të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta (klasët VI – IX) të komunës së Prishtinës që të marrin pjesë në garën “Arti i Ripërdorimit” për prezentimin e kreacioneve artistike të punuara nga mbeturina të riciklueshme.

 

Llojet e kreacioneve artistike që mund të punohen:

– Enteriere dekorative nga materialet e ripërdorshme;

– Eksteriere dekorative nga materialet e ripërdorshme;

– Veshje kreative nga materialet e ripërdorshme;

– Modele dhe materiale mësimore nga materialet e ripërdorshme;

– Skulptura nga materialet e ripërdorshme;

– Krijime sipas dëshirës.

 

Përbërja dhe numri i nxënësve të grupit që mund të marrin pjesë në garë:

Nxënësit  duhet  të  jenë  nga  klasët  6-9.  Numri  i  nxënësve  në  grup  mund  të  jetë  sipas dëshirës, mirëpo duhet të ketë përfshirje të barabartë gjinore dhe të niveleve klasore.

 

Format e dëshmimit të autorësisë së punimit:

Nxënësit duhet të kenë fotografi që paraqesin procesin e krijimit të punimit të tyre, që nga momenti  fillestar  i  dizajnimit  të  idesë  –  gjatë  diskutimeve/”brainstorming”,  gjatë  fazave  të realizimit  të idesë e deri te përmbyllja e plotë e punës ekipore – krijimi i kreacionit  të caktuar artistik nga mbeturinat e riciklueshme.

Fotografitë e realizuara pastaj do të shërbejnë edhe për realizimin e videos e cila është e domosdoshme që shkolla të futet në garë.

 

Mënyra e prezentimit të kreacionit artistik nga ana e nxënësve:

Kreacioni artistik do të prezentohet përmes një videoje e cila do të realizohet nga fotografitë të cilat grupi i ka bërë që nga fillimi i punës e deri tek përfundimi i kreacionit (shih më lart te format  e  dëshmimit  të  autorësisë),  si dhe  nga  një  pjesë  audio-vizuele  (xhirim)  në  të  cilën  një nxënës i përzgjedhur nga grupi prezenton punimin që grupi ka realizuar. Pra,  videoja duhet të përmbajë dy pjesë:

  1. Pjesa e  parë me  fotografitë  e  montuara  në  mënyrë  kronologjike,  ku  secila  foto  ka  një përshkrim mbi atë që ajo foto prezenton;
  2. Pjesa e dytë me xhirimin në të cilin shihet nxënësi i përzgjedhur i grupit duke prezentuar gojarisht punimin.  Pikat  në  të cilat  duhet  fokususar  nxënësi gjatë  këtij prezentimi janë: lloji  i  kreacionit   artistik   që   nxënësit   kanë   zgjedhur   ta  punojnë   nga   mbeturinat   e riciklueshme  –  çfarë  është  ai  punim?;  lloji  i  mbeturinës/mbeturinave  që  nxënësit  kanë përdorur për realizimin e punimit; çfarë mund të shërbejë ai punim? dhe në fund edhe një mesazh nga nxënësit për të tjerët rreth ripërdorimit të mbeturinave. Në këtë xhirim duhet të shihet nxënësi që prezenton së bashku me kreacionin artistik.

E gjithë kjo video nuk duhet të jetë më e shkurtër se 1 minutë dhe më e gjatë se 2 minuta!

Shënim: Fotografitë nuk është e thënë të bëhen me aparat profesional, apo edhe xhirimi si dhe videoja në tërësi të realizohet në mënyrë profesionale; mjafton që pamjet të jenë të qarta dhe xhirimet, respektivisht videoja të paraqesë në mënyrë të kuptueshme të gjithë procesin e punës së nxënësve.

 

Mënyra e përzgjedhjes së tri punimeve më të mira – shkollave fituese:

Videot e grupeve nga të gjitha SH.F.M.U – të e komunës së Prishtinës do të postohen në faqen  tonë  të  facebook-ut  @Let’s  Do  It  –  Ta  Pastrojmë  Kosovën.  Postimi  i  videove  do  të organziohet përmes një kalendari i cili do të postohet paraprakisht, në mënyrë që secila shkollë të dijë kohën se kur do të postohet videoja e grupit të saj. Videoja e secilës shkollë do të qëndrojë e postuar për 24 orë, dhe gjatë kësaj kohe ajo video do të jetë në garë që të marr sa më shumë pëlqime  dhe  shpërndarje.  Një  pëlqim  do  të  vlejë  1  pikë,  kurse  një  shpërndarje  do  të  vlejë  3 pikë.  Pra,  përzgjedhja  e  tri shkollave  fituese  do  të  bëhet  në  bazë  të  numrit  të  pikëve  që  do  të marrin ato, bazuar në pëlqimet dhe shpërndarjet për videon e postuar në faqen tonë të facebook- ut.

Rezultati i pikëve për secilën nga shkollat do të bëhet  i ditur dhe transparent menjëherë pas përfundimit të kohës së garës për videon/shkollën përkatëse.

Pasi të ketë përfunduar procesi i postimit të videove (gara) për të gjitha shkollat, përmes një postimi tjetër do të bëhen të ditura edhe tri shkollat fituese – pra, tri shkollat videot e të cilave kanë marr më së shumti pëlqime dhe shpërndarje (pikë) në videon e tyre.

 

Afatet kohore të realizimit të punimeve dhe videove:

Gara  do të jetë  e hapur  për të gjitha  SH.F.M.U – të e komunës së  Prishtinës nga sot (25 janar 2021).

Nxënësit  do të kenë kohë të realizojnë videon nga punimet e tyre brenda dy javëve që nga hapja e garës, më saktësisht deri më datën 08.02.2021

Video duhet të dërgohet në email adresën tonë info@letsdoitkosova.org

Shkollat të cilat nuk i përmbahen rregullave të garës dhe afateve kohore, përjashtohen automatikisht nga gara!