2020 – SFIDË E SUKSES! Përmbledhje e aktiviteteve të Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën

Vitin që po e lëmë pas të gjithë do ta kujtojmë si një ndër vitet më sfiduese – vit të pandemisë COVID-19. Në këto ditë festive të fundvitit jemi falënderues për atë që kemi arritur ta ruajmë dhe e kemi, duke uruar që viti 2021 të jetë vit i rimëkëmbjes dhe mbarësisë për të gjithë. […]

Vitin që po e lëmë pas të gjithë do ta kujtojmë si një ndër vitet më sfiduese – vit të pandemisë COVID-19. Në këto ditë festive të fundvitit jemi falënderues për atë që kemi arritur ta ruajmë dhe e kemi, duke uruar që viti 2021 të jetë vit i rimëkëmbjes dhe mbarësisë për të gjithë.

Sado që reflektimin mbi aktivitetet dhe sukseset e këtij viti e zbeh pandemia, megjithatë Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën është e lumtur që përkundër vështirësive që COVID-19 solli, ia doli që aktivitetet e saj për një mjedis të shëndetshëm t’i mbajë në jetë, e për më shumë edhe të kontribuojë në luftimin e pandemisë COVID-19.

E nisëm 2020 me aktivitetin “Ta Pastrojmë Badovcin” në Badovc. Duke qenë pjesë shumë aktive e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, i cili u themelua me qëllimin për të mos lejuar rrezikimin e ujit të qytetit të Prishtinës dhe degradimin e liqenit te Badovcit, më 26 janar realizuam aksion pastrimi në brigjet e liqenit në shenjë proteste për parandalimin e realizimit të projekt-propozimit i cili parashihte ndërtimin e një lagjeje banimi në zonën rreth liqenit.

Gjatë muajit shkurt filluam me implementimin e projektit për hartimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis të komunës së Gjilanit. Po ashtu, gjatë këtij muaji ofruam edhe trajnime falas për studentë me qëllimin për të ngritur kapacitetet e tyre në shkrimin dhe menaxhimin e projekt-propozimeve në fushën e mjedisit. Dhjetëra studentë nga komuna të ndryshme të vendit përfituan nga këto trajnime, si dhe nga ato për shkrimin e CV-së dhe letrës motivuese.

E kur në mars u paraqitën rastet e para me COVID-19 në vendin tonë, Let’s Do It menjëherë inicoi krijimin e grupit joformal në facebook “Vullnetarët/Volunteers COVID-19”. Ky grup brenda një kohe shumë të shkurtër bashkoi qytetarë të shumtë të gatshëm të japin kontributin e tyre në forma të ndryshme për luftimin e pandemisë. Vullnetarë të këtij grupi kontribouan në Qendrën Studentore e cila ishte shndërruar në karantinë, qindra familje në nevojë u ndihmuan me pako higjienike e ushqimore dhe po vazhdojnë të ndihmohen, si dhe u realizuan aktivitete të tjera të ndryshme përbrenda grupit. Ky grup tani numëron më shumë se 12 mijë anëtarë dhe vazhdon të jetë aktiv në mënyrë konsistente që nga themelimi i tij.

22 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Tokës këtë vit e shënuam me një aktivitet tejet unik – përmes “Pastrimit Digjital”. Ishte kjo vetëm njëra nga format kreative të përshtatjes së aktiviteteve tona për mbrojtjen e mjedisit me rrethanat e pandemisë. Aktiviteti ishte i formës “online” dhe kishte të bënte me pastrimin e e-mailave, fotografive, videove, fajllave të ndryshëm të panevojshme të cilat shkaktojnë ndotje përmes shpenzimit të energjisë (bateria e pajisjeve digjitale) që ndodh për mirëmbajtjen e tyre.

Në maj, me datë 17, përsëri realizuam aksion pastrimi në liqenin e Badovcit. Këtë aksion pastrimi në liqenin e Badovcit, ndryshe nga ai i janarit, e bëmë në kushte pandemie, prandaj edhe numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar.

Më 5 qershor, Ditën Botërore të Mjedisit, lansuam fushatën tashmë tradicionale të Let’s Do It, “Ta Pastrojmë Kosovën 2020” e cila këtë vit ishte më ndryshe për dallim nga ato të viteve paraprake. U realizuan aksione të pastrimit gjithandej vendit, të organizuara shumica individualisht nga qytetarë aktivistë, e disa nga to edhe në grupe prej 10 – 15 personave – kjo për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19. Kjo fushatë zgjati deri në Ditën e Pastrimit të Botës, e cila ndodhi më 19 shtator.

Më 12 gusht – Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, në kuadër të Grupit “Vullnetarët/Volunteers COVID-19”, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe akterë të tjerë lansuam fushatën “Së bashku kundër COVID-19”. Aktiviteti qëndror u shënua në sheshin “Skënderbeu”, ku u shpërndanë maska dhe broshura informative për masat e sigurisë ndaj COVID-19.

Aktivitetet qëndrore të 19 Shtatorit – Ditës së Pastrimit të Botës u realizuan në Prishtinë, në ndërkohë që për këtë ditë u mobilizuan edhe shumica e komunave të vendit të cilat edhe pse në kushte pandemie u përgjigjën pozitivisht ndaj kësaj ngjarjeje mjedisore duke organizuar aktivitete pastrimi – vazhdimisht me kujdesin e përpiktë ndaj masave të sigurisë për mbrojtje nga COVID-19. Në Prishtinë u realizua aksion pastrimi në hapësirat përreth stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri”, po ashtu edhe në hapësirat e Parkut të Qytetit. Fokusi i kësaj dite këtë vit ishte mbledhja e filterave të cigareve, mirëpo u larguan edhe mbeturina të tjera të llojeve të ndryshme.

Më 25 tetor filloi eleminimi i një deponie ilegale të mbeturinave e cila ishte krijuar në mes të bjeshkëve të Rugovës – në drejtim të rrugës për Shtedim. Eleminimi i kësaj deponie filloi me angazhimin e vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, për të vazhduar pastaj me eskavatorë meqenëse sasia e mbeturinave ishte shumë e madhe.

Aksionet për pastrimin e lumit Drin të nisura vitin e kaluar në bashkëpunim me lëvizjen globale “River Cleanup”, vazhduan edhe këtë vit. Më 31 tetor realizuam aksion pastrimi në lumin Istog, konkretisht te “Ura e Gurit” në Zallq të Istogut. Gjatë këtij aksioni u larguan mbi 100 thasë me mbetje plastike dhe me mbetje të përziera, si dhe nëntë (9) kamionë me mbetje të vëllimshme.

Më 24 nëntor së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës lansuam fushatën më të madhe në vend për mbjelljen e 1.8 milionë drunjve gjithandej Kosovës, e cila do të zgjas deri në vitin 2030. Ceremonia lansuese e kësaj fushate u përmbyll duke shënuar edhe aktivitetin e parë të mbjelljes së “T’i Japim Vendit Ngjyra” – 18 drunj të cilët mbajnë emrat e institucioneve, aktivistëve mjedisor e sportistëve u mbjellën në “Këndin Olimpik” i cili ndodhet në hapësirat e kampusit universitar “Hasan Prishtina”.

5 Dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve e shënuam duke shpallur “Vullnetarët e vitit 2020”. Këta vullnetarë ishin aktivistë të pandalur përgjatë tërë vitit duke dhënë kontributin e tyre në menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19 dhe në luftimin e kësaj pandemie, në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe duke reaguar në raste emergjente.

Më 9 dhjetor u shënua aktiviteti i parë për gjelbërimin e brezeve rrugore të vendit, që parashihet si objektivë në kuadër të fushatës “T’i Japim Vendit Ngjyra”, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës. Ky aktivitet u shënua në Uglar (autostrada “Ibrahim Rugova”), ku u mbjellën rreth 300 drunj.

Më 22 dhjetor, së bashku me Meridian Express, në kuadër të Grupit “Vullnetarët/Volunteers COVID-19”, filluam fushatën për grumbullimin e produkteve esenciale ushqimore e higjienike për familjet në nevojë “Gëzoje për festa, dhuro edhe ti”. Pakot me këto produkte do t’u shpërndahen këtyre familjeve më 30 dhe 31 dhjetor.

Më 24 dhjetor, së bashku me kolegjin “Heimerer” dhe Ministrinë e Infrastrukturës u shënua aktiviteti tjetër i mbjelljes në kuadër të fushatës “T’i Japim Vendit Ngjyra”. Rreth 60 drunj u mbjellën në hapësirat e rrethrrotullimit që ndodhet afër qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.

Gjatë muajit dhjetor kemi nisur edhe implementimin e projektit “Art i riciklimit” në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Let’s Do It po ashtu, edhe gjatë këtij viti, ka vazhduar me monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjobat Mandatore, monitorimin e raportimit të medieve për çështjet mjedisore, ka qenë pjesë e tryezave online me tematika të ndryshme mjedisore.

Let’s Do It falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e saj dhe ata që u angazhuan dhe kontribouan në mbarëvajtjen e aktiviteteve tona në cilëndo formë të mundshme.

Urojmë që viti 2021 të jetë një vit më i lehtë për të gjithë, me një situatë më të lehtësuar të pandemisë, me një rimëkëmbje sa më të shpejt, mirëqenie të përgjithshme – mjedis sa më të shëndetshëm për të jetuar.