by Besnik Shabiu
17/10/2018, 16:11
Pastrohet qyteti i Lipjanit
Mbi 200 thasë me mbeturina dhe disa kamionë me mbetje inerte janë larguar nga tri lokacione gjatë aksionit të sotëm të pastrimit në Lipjan, ku u bashkuan qindra vullnetarë në kuadër të Fushatës më të madhe në vend “Ta Pastrojmë Kosovën”. Aksioni filloi në ora 12:00 nga oborri i Komunës së Lipjanit, për të vazhduar […]
Mbi 200 thasë me mbeturina dhe disa kamionë me mbetje inerte janë larguar nga tri lokacione gjatë aksionit të sotëm të pastrimit në Lipjan, ku u bashkuan qindra vullnetarë në kuadër të Fushatës më të madhe në vend “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Aksioni filloi në ora 12:00 nga oborri i Komunës së Lipjanit, për të vazhduar pastaj në sheshin e qyteti si dhe në deponinë ilegale me mbetje inerte që gjendej pranë hekurudhës, në rrugën për Janjevë.
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se Komuna e Lipjanit është shembull për gatishmërinë e saj në organizimin e aktiviteteve për largimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Është kënaqësi e madhe me qenë në një mjedis të tillë ku shumë vullnetarë bashkohen për një fushatë që ka për qëllim të bëj të mira për vendin. Ne me shumë qejf kemi ardhur këtu dhe bashkërisht po mundohemi ta pastrojmë një deponi, por edhe disa hapësira që janë në qendër të Lipjanit. Kjo komunë është model i mirë kur flasim për angazhime të tilla, gjithmonë gjejmë mbështetje dhe përkrahje prej komunës në të gjitha format që ne i kërkojmë dhe shpresojmë që ky angazhim që po shihet sot të përfundoj me një Lipjan të pastër dhe bashkë me Lipjanin edhe me një Kosovë më të pastër”, tha Hasanaj.
Aksioneve të sotme në Lipjan iu bashkua edhe kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, i cili tha se shpreson që aktivitetet si ky sot, të sensibilizojnë qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
“Falënderoj Luanin bashkë me organizatën e tij për aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ sot në Lipjan. Shpresojmë që aktivitete si ky sot të rrisin gradualisht vetëdijesimin e qytetarëve tonë për mirëmbajtjen e ambientit. Aksionet e tilla janë simbolikë e asaj që të vazhdohet pastaj edhe me investimet e komunave dhe presioneve të ndryshme të qeverisë në mënyrë që vërtetë të krijojmë një ambient sa më të pastër”, tha ai.
Aksionit të sotëm iu bashkuan edhe nxënës të shkollave në Lipjan, ndërsa mbeturinat e mbledhura u larguan nga Kompania “Pastrimi”.
Let’s Do It Kosova ju njofton se përveç Lipjanit, aksione të pastrimit janë organizuar sot edhe në komuna tjera, si në Istog dhe Malishevë.
Po ashtu, punëtorët e ETC-ve dhe të depove sot iu bashkuan aksioneve të pastrimit në qytetet, si Gjilan, Kamenicë, Graçanicë dhe Viti.
Let’s Do It Kosova po ashtu ju njofton se çdo ditë po organizohen aktivitete të shumta në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri më 15 dhjetor. Kjo fushatë financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa implementohet nga Let’s Do It Kosova.