“Let’s Do It Kosova” organizoi Forumin më të madh mjedisor ‘everGREEN Kosovo”

Në një hapësirë të rrethuar me drunj gjelbërues të llojeve të ndryshme dhe në një sallë të mbushur nga akterët më relevantë të fushës së mjedisit në vend – si përfaqësues nga institucionet e të gjitha niveleve në Kosovë, institucionet ndërkombëtare, shoqëria civile, ekspertë mjedisor, profesorë, studentë, vullnetarë e pjesëmarrës të shumtë – dje është […]

Në një hapësirë të rrethuar me drunj gjelbërues të llojeve të ndryshme dhe në një sallë të mbushur nga akterët më relevantë të fushës së mjedisit në vend – si përfaqësues nga institucionet e të gjitha niveleve në Kosovë, institucionet ndërkombëtare, shoqëria civile, ekspertë mjedisor, profesorë, studentë, vullnetarë e pjesëmarrës të shumtë – dje është mbajtur Forumi tetë orësh, më i madhi nga fusha e mjedisit “EverGREEN Kosovo” organizuar nga “Let’s Do It Kosova” dhe mbështetur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ky Forum u organizua me qëllim të zhvillimit të politikave dhe iniciativave mjedisore, të cilat ndikojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit si dhe angazhimin maksimal të akterëve përgjegjës në luftimin e fenomenit të ndotjes.

Ky Forum nisi me tri fjalime. I pari që e mori fjalën ishte ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili u shpreh i lumtur që angazhimi mjedisor i të gjithëve akterëve gjatë vitit të kaluar bëri që Kosova të vlerësohet ndërkombëtarësisht dhe ta marr stafetën e organizimit dhe koordinimit të Ditës së Pastrimit të Botës.

“Si Ministri do të vazhdojmë të investojmë në fushën e mjedisit. Besoj se kjo do të sjell rezultate konkrete. Adresimi i mirëfilltë i sfidave mjedisore në konferenca të tilla është i mirëseardhur. Besoj se të gjithë pajtohemi me tri fakte të pamohueshme lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë: Një – asnjëherë s’ka pasur angazhim më të madh në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, dy – shoqëria civile ka rol aktiv dhe tre – është rritur vetëdija për mbrojtjen e mjedisit. Angazhimi ynë ka bërë që Kosova të vlerësohet ndërkombëtarisht dhe të jetë shteti që do ta organizojë Ditën e Pastrimit të Botës”, ka thënë Matoshi.

Koordinatorja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, ka përgëzuar “Let’s  Do It Kosova” për organizimin e këtij Forumi, derisa u ka bërë thirrje të gjithë akterëve që të përfshihen në ruajtjen e mjedisit.

“Ruajtja e mjedisit na takon të gjithë neve. As Kosova nuk mund të përjashtohet kur flasim për rrezikun aktual të ndotjes gjithandej. Andaj, tani është koha që të veprojmë. Kur kam ardhur në Kosovë më është thënë se trajtimi i problemeve mjedisore është luks, për shkak të problemeve të mëdha që ka vendi. Por, asgjë nuk mund të zgjidhet pa trajtimin e duhur të problematikave mjedisore. Kosova është një shembull i mirë se si të rinjtë mund dhe duhet të angazhohen për ruajtjen e mjedisit”, ka thënë Richardson.

E, me të marrë fjalën, Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It  Kosova”, Luan Hasanaj, ka falënderuar të gjithë ekipin e Organizatës dhe vullnetarët për angazhimin e tyre që një Forum i përmasave të tilla të organizohet për një afat kohor prej nëntë ditësh.

Ai ka paralajmëruar se Forumi i djeshëm është vetëm pikënisje e aktiviteteve që parashihet të mbahen për mjedisin.

“Pjesëmarrja e shumë prej juve në këtë Forum e dëshmon se po vinë ditë më të mira për mjedisin në Kosovë. Ky Forum do të jetë vetëm pikënisje e aktiviteteve që do të vinë. Për këtë zotohem se së bashku më ekipin do të vazhdojmë më këtë intensitet derisa të arrijmë ta kemi Kosovën tonë më të mirë”, ka thënë Hasanaj ndër të tjerash.

Pas fjalimeve hyrëse, Forumi vazhdoi me panelin e parë, ku për një orë, u diskutua për praktikat më të mira të komunave karshi sfidave mjedisore, përvojat e kryetarëve aktual, aktivitetet që po zhvillohen si dhe aktivitetet e parapara për të ardhmen për një zhvillim mjedisor të qëndrueshëm.

Në këtë panel morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, udhëheqësja e Sektorit të Mjedisit dhe Menaxhimit të Mbeturinave në Gjakovë, Albana Bakalli, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Graçanicës, Dejan Jovanovic, nënkryetarja e Komunës së Prizrenit nga  komunitetet pakicë, Memuna  Ajdini, si dhe Arianit Blakaj, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Aty u përmend sfidat komunale mjedisore, si menaxhimi i mbeturinave, mirëmbajtja e lumenjve, hapësirave publike, trajtimi i ujërave të zeza, djegia e pyjeve, mirëmbajtja e deponive që janë pastruar e të tjera. Gjatë panelit, përfaqësuesit e secilës komunë folën edhe për praktikat më të mira mjedisore nëpër komunat e tyre. Derisa, Blakaj nga BERZH premtoi përkrahje për projektet mjedisore në nivelin lokal.

Forumi vazhdoi me panelin e dytë, ku theksi u vu tek bashkëpunimi i sektorëve publik – privat në fushën e mjedisit. Në këtë panel morën pjesë: Leutrim Sahiti nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mimoza Kusari Lila nga Grupi i Deputetëve të Gjelbër, Fitim Krasniqi nga Këshilli Danez i Refugjatëve në Mitrovicë, Annette M. Fath-Lihic nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Alban Rama nga Kompania Private e Riciklimit “IZOLIMI PLAST” SHPK, si dhe Shkipe Deda-Gjurgjiali nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP).

Në këtë panel u ngrit nevoja për bashkëpunim më të madh në mes të sektorit publik dhe atij privat në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe mjedisit në përgjithësi, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më konkrete edhe në fushën e zbatimit të kornizës ligjore. Po ashtu, u kërkua vlerësim mjedisor për të gjitha projektet e rëndësishme infrastrukturore dhe të tjera, në mënyrë që investimet të kryhen në mënyrën e duhur. Aty u përmend edhe industria e riciklimit të mbeturinave, për çka u kërkua mbështetje më e madhe nga institucionet qendrore për bizneset private.

Pas përfundimit të këtij paneli,  Forumi vazhdoi me prezantimin e katër storieve të suksesit në fushën e mjedisit, përmes të cilëve u dhanë mesazhe të fuqishme për rëndësinë e angazhimit që secili individ mund ta bëjë për mjedisin. Edhe në këtë Forum u dëshmua se edhe ndryshimet e mëdha fillojnë nga gjërat e vogla.

Fillimisht ishte Pat Smith, 70 vjeçarja nga The Final Straw Cornwall, e cila përsëriti alarmin e ndotjes masive që po shkakton plastika dhe ndikimin e dëmshëm në shëndetin e secilit prej nesh. Ajo tregoi se si kanë arritur të bindin shumë biznese të rëndësishme në botë që plastikën – të mos e përdorin fare, apo ta përdorin në mënyrën e duhur. Dhe, një nga mënyrat për ta bërë këtë sipas saj është kthimi i riciklimit në industri fitimprurëse edhe për biznese. Përvojat personale dhe punën e jashtëzakonshme që po bëjnë për mjedisin e prezantuan edhe Ervin Shehaj nga Zero Waste International, aktivisti Burim Qarri i cili foli për ndërtimin e Eko-Parkut në Gjakovë, dhe aktivistja Valbona Mustafa, e cila prezantoi aktivitetin e përditshëm për ruajtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse në fushën e mjedisit.

Në panelin e tretë në kuadër të Forumit “EverGREEN Kosovo” u diskutua për rolin e shoqërisë civile, rinisë dhe akterëve ndërkombëtar në zgjidhjen e sfidave mjedisore. Në këtë panel morën pjesë Nebojša Simić nga Centar Za Depolitizaciju Kosovskog Drustva (CDKD), Aurel Haxhiu nga Këshilli Qendror i Veprimit Rinor (KQVR), Merlina Beu Muçaj nga Green Art Center (GAC), Elion Gërguri nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Granit Gashi nga GAIA Kosovo.

Aty u kërkua një bashkëpunim më i madh mes institucioneve me grupet e shoqërisë civile dhe të rinjve, në mënyrë që të arrihet një gjithëpërfshirje e akterëve që ndikojnë në luftimin e sfidave mjedisore. Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe grupeve të të rinjve e cilësuan si sfidë menaxhimin e mbeturinave, meqë në këtë drejtim ka edhe mungesë të fondeve. Aty u përmenden edhe organizimet që po mbahen me të rinj për informimin e tyre lidhur me ndryshimet klimatike. Nga përfaqësuesit e organizatave u premtua se do të vazhdojë angazhimin i tyre në vetëdijesimin e qytetarëve për çështje mjedisore dhe vazhdimin e bashkëpunimit me institucione.

Pas përfundimit të paneleve, pjesëmarrësit e këtij Forumi u ndan në grupe punuese ku u dhanë idetë për zhvillimin e një thirrjeje për veprim në fushën e mjedisit.

Forumi “everGREEN Kosovo” do të vazhdojë edhe në të ardhmen të mbledhë akterët relevant mjedisorë, deri në arritjen e një zgjidhjeje më afatgjatë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.