by Artina Muqiqi
Choose a language:28/05/2019, 14:56
Mbahet tryeza për politikat mjedisore, inspektorët dhe Policia kërkojnë trajnim për Udhëzimin Administrativ për Gjoba Mandatore
“Let’s Do It” ka mbajtur punëtori me qëllim të diskutimit të politikave mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre. Kjo tryezë u organizua ne kuadër të projektit “Let’s Green It” i cili financohet nga BE-ja, mbështetet nga “Balkan Green Foundation (BGF)” dhe “Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)” dhe implementohet nga “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në këtë […]
Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj ka thënë se si organizatë kanë për qëllim që t’u dalin në ndihmë institucioneve.
“Ne si organizatë duhet të shihemi si ndihmës të institucioneve, andaj presim bashkëpunim nga ta. Sa ma shumë që e promovojmë punën për gjobat e shqiptuara, ka me u rrit vetëdija për gjobat e shqiptuara, po e them me përgjegjësi që ne nuk mundohemi me i qit keq institucionet, ne mundohemi t’ju ndihmojmë, kemi vërejtje, por jo me i qit keq institucionet. Roli i ynë është ndihmë në punën e inspektorëve dhe policisë që kanë të bëjnë me ndëshkimin për gjobat”, ka thënë Hasanaj.
Ndërsa, këshilltari i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se Ministria e ka miratuar kornizën ligjore, megjithatë mbetet sfidë zbatimi i tij dhe numri i inspektorëve.
Ai ka shtuar se komunat duhet ta dinë që menaxhimi i mbeturinave është në përgjegjësinë e tyre.
“Inspektorët komunal duhet të jenë shumë më shumë aktiv, mbetet shqetësuese që komunat nuk kanë inspektorë për zbatimin e këtij udhëzimi. Gara mjedisore përmes grandit të performancës, 7 milionë euro bashkë më GIZ-in gjerman dhe komunat që duan të marrin grande nga ky fond duhet të zbatojnë udhëzimin për gjobat mandatore. Qëllimi ynë nuk është që të shpërndajmë gjoba, por vetëdijesimi edhe nuk vjen pa gjoba”, tha Sahiti.
“Let’s Do It” ka monitoruar punën e institucioneve të nivelit qendror dhe komunal për të grumbulluar të dhëna lidhur me numrin e gjobave të shqiptuara ndaj ndotësve të mjedisit. Monitorimi është fokusuar në Udhëzimin Administrativ për Gjoba Mandatore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor “Nr.06/2018-2019” dhe rregulloreve tjera komunale mjedisore dhe është realizuar gjatë periudhës gjashtë mujore, nga nëntori i vitit 2018 deri në muajin prill të vitit 2019. Në monitorim kanë qenë të përfshira Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe 26 komuna të Kosovës.
Nga monitorimi gjashtë mujor i Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore rezulton se gjatë kësaj periudhe kohore janë shqiptuar gjithsej 718 gjoba. Përgjatë këtij gjashtë mujori, komunat me më së shumti gjoba të shqiptuara janë Prishtina (180), Peja (69), Vushtrria (35), Deçan (31), Prizreni (27), Malisheva (26), Gjakova (25), Ferizaji (22), Mitrovica (20). Ndërsa, komunat me më pak gjoba të shqiptuara janë: Rahoveci (14), Klina (13), Gjilani (12), Juniku (10), Istog (9), Kamenica (9), Suhareka (8), Shtime (8), Obiliqi (7), Skenderaj (7), Drenas (6), Lipjan (6), Podujeva (5), Viti (2). Ndërsa, komunat që nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë janë: Fushë Kosova (0), Kaçanik (0), dhe Hani i Elezit (0).
Nga monitorimi rezulton se numri aktual i deponive ilegale aktuale në Kosovë është 1465 deponi. Është për keqardhje se si janë ndotur sërish edhe disa prej deponive që janë pastruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Nga monitorimi rezulton se gjobat më të shpeshta që janë shqiptuar gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore kanë qenë:
– Hedhja e mbetjeve ndërtimore në hapësira publike të ndaluara, pavarësisht që secila prej komunave gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” ka caktuar lokacionin për hedhjen e këtyre mbetjeve.
– Dëmtimi i zonave të gjelbëruara, si dhe
– Shpërndarja e fletushkave në hapësira publike, pavarësisht që një gjë e tillë tanimë ndalohet edhe me ligj.
Ndërsa, gjatë monitorimit gjashtë mujor rezulton se zyrtarët mjedisor janë përballur me problematika të ndryshme gjatë kryerjes së detyrave në terren, si:
– Hezitimi i shqiptimit të gjobave për shkak të mungesës së shërbimit 100% nga kompanitë e pastrimit.
– Mosnjohja e mjaftueshme e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore.
– Numri i vogël i inspektorëve mjedisor, krahasuar me territorin e komunave përkatëse.
Të dhënat e monitorimit vënë në pah se në 26 komuna të Kosovës janë rreth 81 inspektorë mjedisor dhe 60 persona të autorizuar për shqiptimin e gjobave. Këto të dhëna për inspektorët dhe personat e autorizuar janë marrë në muajin mars.
Gjatë monitorimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore u vunë në pah edhe problematika të tjera procedurale që pengojnë zbatimin e plotë të tij. Nga të dhënat e gjykatave themelore të secilës prej komunave rezulton se nuk ka numër të lartë të rasteve të shqiptimit të gjobave për ndotësit që janë shqyrtuar aty, për shkak se lëndët paraprakisht shkojnë te përmbaruesi privat. Hulumtimi po ashtu thekson mungesën e përmbaruesve të kontraktuar nga komunat, ndonëse ato obligohen për një gjë të tillë. Rrjedhimisht, kjo nënkupton se nëse gjobat e shqiptuara nga inspektorët nuk paguhen në afat prej 8 ditësh (bazuar në procedimin e lëndës sipas Udhëzimit Adminstrativ MMPH-NR. 06/2018), në mungesë të përmbaruesit mund të themi kushtimisht se ato “digjen”.
Disa nga rekomandimet që dolën nga tryeza e sotme janë:
– Rritja e numrit të inspektorëve komunal apo personave të autorizuar për shqiptimin e gjobave mandatore.
– Caktimi i personave të autorizuar nëpër komunat që nuk kanë inspektorë mjedisor.
– Shtrirja dhe mbulueshmëria 100 % e territorit të Kosovës nga kompanitë e pastrimit.
– Caktimi i njësisë përgjegjëse brenda Policisë së Kosovës për shqiptimin e gjobave mandatore dhe pajisja e tyre me blloqe.
– Caktimi i përmbaruesve privat që shqyrtojnë këto lëndë nga secila komunë.
– Mbajtja e trajnimeve me inspektorë komunal mjedisor për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore.
– Përmirësimi i qasjes së inspektorëve në terren: sigurimi i përhershëm i blloqeve dhe transportit gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
– Bashkëpunim më i madh mes inspektorëve komunal dhe qendror, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve për zbatimin e këtij Udhëzimi dhe gjobitjen e ndotësve.
– Nxjerrja e vendimeve nga kryetarët e komunave të Kosovës që i obligon ekonomitë familjare të lidhin kontrata me kompanitë përkatëse të menaxhimit të mbeturinave.
Udhëzimi Administrativ “Nr. 06/2018-2019” ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, reduktimin dhe eliminimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut si dhe mbrojtjen e hapësirave publike dhe private nga ndotja, përmes menaxhimit të mbeturinave. “Let’s Do It” do të vazhdojë monitorimin e Udhëzimit Administrativ edhe për një periudhë tjetër gjashtë mujore, për të matur progresin e zbatimit të tij dhe rregulloreve mjedisore komunale.