by Artina Muqiqi
Choose a language:08/04/2019, 16:44
Vullnetarët nuk i ndal as shiu, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve pastrohet lagjja rome në Fushë Kosovë
Në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, Let’s Do It ka organizuar aksion pastrimi në ‘Lagjen Rome’ në Komunën e Fushë Kosovës. Pavarësisht motit me shi, vullnetarët dhe makineritë nuk ndalen punën e tyre me qëllim të largimit të mbeturinave. Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj, fillimisht ka uruar komunitetin rom për Ditën Ndërkombëtare […]
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj, fillimisht ka uruar komunitetin rom për Ditën Ndërkombëtare të tyre, teksa ka kërkuar ndërgjegjësim më të madh për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
Hasanaj ka kërkuar përgjegjësi dhe punë më të madhe edhe nga Komuna e Fushë Kosovës për mirëmbajtjen e këtyre lagjeve, derisa ka shpresuar se aksione të ngjashme pastrimi së shpejti do të mbahen edhe në lagjet tjera nëpër Kosovë, ku jetojnë komuniteti rom.
“Edhe unë e shfrytëzoj rastin për ta uruar komunitetin për ditën e tyre. Po rikthehemi në këtë lagje pas një kohe të shkurtër që kemi pastruar këtë, andaj na vie keq që situatën nuk e gjetëm aq mirë. Shpresoj shumë që këtë festë, vitin tjetër ta festojmë duke pirë kafe të gjithë së bashku, e jo duke pastruar. Ne jemi partnerët e juaj andaj do të punojmë bashkë për të krijuar këtu një zonë të gjelbër ku do të mbillen drunj. Nuk mund të mos flas edhe për angazhimin që po bën Komuna, e cila duhet të jetë më e përgjegjshme dhe më aktive për të dhënë maksimumin e saj që këto lagje të jenë më të pastra. I dimë procedurat, por këto pamje nuk na bëjnë nder. Komuna duhet të angazhohet më shumë, bashkë me komunitetin, në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje. Angazhim të njëjtë duhet të bëjmë edhe në lagjet tjera rome gjithandej Kosovës, të cilat nuk janë në gjendje më të mirë aspak”, ka thënë Hasanaj.
Komunitetin Rom për Ditën Ndërkombëtare të tyre i uroj edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili po ashtu i bëri thirrje komunitetit që të jenë më të kujdesshëm ndaj mjedisit.
Ai tha se Kosova duhet të jetë shembull i hapësirave të pastërta, meqë këtë vit do të jetë vendi që do të organizojë dhe koordinojë fushatën për Ditën e Pastrimit të Botës.
“Faleminderit që jeni këtu, përkundër që moti është shi. Fillimisht dua të uroj komunitetin rom për këtë ditë. Falendërojmë edhe ambasadorin e OSBE-së që është gjithmonë me ne në ditë të këtilla, kanë angazhim të veçantë për Kosovën dhe bashkëjetesën këtu. Falenderim i veçantë edhe për vullnetarët e Let’s Do It Kosovës që po punojnë çdo ditë për një Kosovë të pastër dhe të denjë për qytetarët e saj. Ne sot do të jemi këtu për të pastruar ambientin, andaj i bëj thirrje edhe komunitetit rom që jeton këtu që të kenë më shumë kujdes për këto hapësira që po ndoten kaq shumë. Ju e dini që ky vit është vit i mjedisit. Kosova është zgjedhur vendi që do të organizojë dhe koordinojë fushatën për pastrimin e botës, andaj duhet të japim shembullin më të mirë. Do të përmirësojmë edhe infrastrukturën për menaxhimin dhe grumbullimin e mbeturinave. Kemi shpërndarë grantin prej 1.2 milionësh për disa prej komunave, si dhe së shpejti do të shpërndajmë edhe kontejnerë për mbeturina. E kemi edhe një grant prej 2 milionë eurosh nga Qeveria japoneze për menaxhimin e mbeturinave, por edhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’i ndihmojë të gjitha komunat e Kosovës në çështjen e menaxhimit të mbeturinave”, ka thënë Matoshi.
I shokuar me sasinë e mbeturinave në Lagjen Rome në Fushë Kosovë ka mbetur ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
“Së pari përshëndetje për komunitetin Rom në Kosovë, dhe veçanërisht për komunitetin rom në Fushë Kosovë. Më vjen shumë mirë që së fundmi jeni të angazhuar në menaxhimin e mbeturinave. Jam i shokuar nga gjendja e mbeturinave në këtë lagje, në vendin ku rriten fëmijët e komunitetit. Kjo nuk është vetëm çështje e mjedisit, por çështje e shëndetit dhe njerëzimit. Të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta tejkaluar këtë gjendje, përfshirë edhe vetë komunitetin. Andaj, na duhet një sistem i bashkëpunimit për menaxhimin e mbeturinave, duke filluar nga niveli lokal deri te niveli qendror. Duhet të krijojmë kushte më të mira për të jetuar këtu”, ka thënë Braathu.
Ndërsa, kryetari i lagjes së romëve, Fehmi Gashi, ka thënë se përveç banorëve të lagjes, aty mbeturina po sjellin edhe qytetarë të Prishtinës.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Të gjithë qytetarët romë që jetojnë në Kosovë e festojnë këtë ditë me afinitete të mëdha. Ne si qytetarë të Fushë Kosovës, bashkë me vullnetarë të shumtë e kemi marrë këtë iniciativë që t’i heqim mbeturinat që po i hedhin. Këtu nuk po gjuajnë bërllok vec banorët e lagjes, por gjuajnë edhe qytetarët e Prishtinës, vinë e sjellin bërllokun këtu. I falendërojmë të gjithë që kanë marrë pjesë në këtë aksion sot”, ka thënë Gashi.
Let’s Do It e falendëron Kompaninë “Pastrimi” për angazhimin e sotëm me punëtorë dhe makineri, si dhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, e cila ka pranuar pa pagesë mbeturinat e grumbulluara sot.