Let’s Do It lanson kampanjën “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e edukimit mjedisor” në Viti

Let’s Do It në bashkëpunim me Komunën e Vitisë sot kanë lansuar kampanjën edukative mjedisore “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e edukimit mjedisor”, përmes së cilës synohet që të krijohet një kulturë e re mjedisore për gjeneratat e reja. Lansimi i kësaj kampanje u bë në Shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, nga përfaqësues të […]

Let’s Do It në bashkëpunim me Komunën e Vitisë sot kanë lansuar kampanjën edukative mjedisore “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e edukimit mjedisor”, përmes së cilës synohet që të krijohet një kulturë e re mjedisore për gjeneratat e reja.

Lansimi i kësaj kampanje u bë në Shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, nga përfaqësues të Let’s Do It dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Fatbardha Emini, me ç’rast u shpjegua para nxënësve rëndësia e këtij projekti.

Përveç lansimit të kampanjës, vullnetarë të Let’s Do It në bashkëpunim me përfaqësues komunal dhe nxënës kanë mbajtur një aksion simbolik, ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina përreth hapësirave të Shkollës “Dëshmorët e Vitisë”.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It ju ka bërë thirrje edhe komunave të tjerë, përveç asaj të Vitisë që të angazhohen maksimalisht në çështjet mjedisore dhe të punojnë më shumë me nxënës të shkollave, në mënyrë që ata të vetëdijesohen për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit të pastër.

“Ne do të bashkëpunojmë në fushën e edukimit mjedisor sepse konsiderojmë se bazamenti i gjithçkaje fillon nga këtu. Dhe kur fillojmë t’i edukojmë brezat për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit atëherë Kosovën do ta kemi më të pastër, sepse nga këtu buron gjithçka. Për fatin e keq kemi shumë shembuj që hapësirat jashtë shkollave nuk mirëmbahen. Fëmijët edukohen si me i mirëmbajt hapësirat përreth shkollës dhe brenda oborrit të shtëpisë t’i mbajnë pastër, por jo jashtë tyre. Nuk është që deri më tani kemi parë aktivitet se duhet të kujdesemi edhe për hapësirën jashtë saj. Kjo që po ndodh në Viti është një shembull i mirë se si duhet të vazhdojë tash e tutje. Komunat dhe shkollat do të jenë më të angazhuara dhe do të kontribuojnë direkt në këtë. Dhe me këtë, hapësira publike do të mirëmbahet”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se Komuna që ai udhëheq ka shpallur vitin 2019, vit të ambientit dhe se për gjithë këto aktivitete do të vazhdojë bashkëpunimin me Let’s Do It.

“Është bashkëpunim jo vetëm i tanishëm me Let’s Do It Kosovën, meqë edhe vitin e kaluar kemi bashkëpunuar, pasi edhe më 2018 kemi punuar shumë në aspektin mjedisor. 2019 e kemi shpall vit të ambientit do të vazhdojmë me kalendarin tonë komunal për bashkëpunime tjera e sidomos me Let’s Do It Kosovën. Sot po fillojmë një projekt të ri, një kampanjë vetëdijesimi mjedisor dhe ambiental në shkolla. Do të punojmë në 20 shkolla fillimisht por do të zgjerojmë bashkëpunimin dhe kjo është përgatitje e gjeneratave të reja për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Na nevojiten shumë shporta, edhe vetëdije për gjenerata të reja mbjellja e drunjve edhe dekorative dhe frytdhënëse, hapësira të gjelbrat, alternativa tjera që rinia mund të shfrytëzojnë sidomos rinia shkollore”, ka thënë Haliti.

Drejtoresha e Shkollës, “Dëshmorët e Vitisë”, Fatbardha Emini tha se këtë vit është viti i Komunës së Vitisë sa i përket fushës së ambientit.

“Sot po e lansojmë projektin që ka të bëj me ngritjen e kapaciteteve të nxënësve dhe mësimdhënësit me aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e ambientit, sivjet është viti i ambientit në komunën e Vitisë”, tha Emini.

Ndërkohë, profesori Alban Hyseni, ka thënë se periudha implementuese e këtij pilot projekti është nëntë mujore, ndërsa ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për një mjedis të pastër.

“Ne do të bashkëpunojmë në mënyrë që mjedisi të jetë bazament i shëndetit të mirë për fëmijët. Jam i bindur se Vitia do të shërbejë si model i të ardhmes së ndërtimit të këtij bazamenti. Do punojmë në edukim mjedisor për fëmijët tanë, në komunitet të këshillit lokal dhe do të rivitalizojmë oborret e 20 shkollave që do të jemi si pilotues. Në bashkëpunim me komunën ky do jetë fillimi i një bashkëpunimi, që nuk do të ketë fund”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu, sot në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Vitisë” ora e parë e mësimit i është kushtuar rëndësisë së ruajtjes së mjedisit.

Në kuadër të kësaj kampanje dhe këtij projekti që u lansua sot parashihet përfshirja e 20 shkollave të Komunës së Vitisë.