by Artina Muqiqi
Choose a language:16/02/2019, 19:20
Let’s Do It pastron pikën kufitare në Han të Elezit: Dashurinë për vendin e tregojmë duke e mbajtur atë të pastër
Për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Let’s Do It ka organizuar aksion pastrimi te pika kufitare me Maqedoninë, në Han të Elezit, nga ku dhjetëra vullnetarë kanë larguar afër 100 thasë me mbeturina. Aksionit të sotëm iu bashkuan kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, zyrtarë të tjerë […]
Aksionit të sotëm iu bashkuan kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, zyrtarë të tjerë komunal si dhe nxënës të shkollës së mesme “Dardania”, derisa largimin e mbeturinave të grumbulluara e ka bërë Kompania “Pastrimi”.
Drejtori Ekzekutiv i Let’t Do It, Luan Hasanaj ka thënë se pavarësisht që të njëjtat hapësira janë pastruar vitin e kaluar, edhe këtë vit ato kanë qenë të mbushura nga mbeturinat.
“Për nder të 11 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po vimë këtu, pas një viti nga hera e kaluar dhe fatkeqësisht shihet se situata nuk është aq mirë. Mbeturina të shumta, të grumbulluara kështu përskaj rrugës krijon imazh të keq për Kosovën. Duhet të tregojmë dashuri për vendin tonë që nga momenti që dalim nga shtëpia. Andaj, nuk duhet të lejojmë që as zonat kufitare të marrin pamje të tilla. Ne për nder të festës së Pavarësisë kemi mjaft punë për të bërë, andaj nuk do të duhej të ishim këtu duke pastruar mbeturina. Nuk jemi të kënaqur me pamje të tilla, të cilat i shohin edhe të gjithë ata që vinë në Kosovë për të festuar 17 Shkurtin, andaj një ditë para përvjetorit të Pavarësisë ne duam ta shohim vendin tonë të pastër”, ka thënë Hasanaj.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma tha se shpreson që aksione të tilla të ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për mirëmbajtjen e mjedisit të pastër.
“Qëllim i këtyre aksioneve është që të vetëdijesohen qytetarët në mënyrë që të kemi ambient të pastër. E një ambient të pastër mund ta kemi vetëm nëse pastrojmë çdo ditë, e jo vetëm të presim aksione. Iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që kalojnë këndej, që të mos hedhin mbeturina rrugëve, por aty ku e kanë vendin”, ka thënë Suma.
Pika kufitare me Maqedoninë në Han të Elezit, së bashku me pikat tjera kufitare të Kosovës ishin pastruar edhe shkurtin e vitit të kaluar, pikërisht për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Let’s Do It sërish iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i mirëmbajnë hapësirat publike dhe të mos hedhin mbeturinat në vendet ku është e ndaluar, pasi kjo është një mënyrat përmes së cilave e dëshmojmë dashurinë dhe kujdesin për vendin tonë.