by Artina Muqiqi
Choose a language:23/12/2018, 18:59
Let’s Do It dhe AGK ndajnë çmimet për storiet më të mira për mjedisin
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Let’s Do It në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës [AGK] në një ceremoni të organizuar sot kanë bërë ndarjen e çmimeve për storiet më të mirë për mjedisin. Çmimin e parë e ka fituar gazetarja e Kohavisionit, Drita Slivova Polisi me dokumentarin 21 minutësh “Ajri që […]
Çmimin e parë e ka fituar gazetarja e Kohavisionit, Drita Slivova Polisi me dokumentarin 21 minutësh “Ajri që vret”, çmimin e dytë e fitoi gazetarja e Televizionit 7, Florandë Morina me storien “Bellopoja e ndotur”, çmimin e tretë e fitoi gazetarja e Gazeta Insajderi, Drenusha Canolli me storien “Një nga një deri në asnjë – rrugëtimi për Kosovën e pastër’, ndërsa çmimin e katërt e fitoi gazetarja e Klan Kosovës, Mejreme Gashi me storien “Automekaniku vullnetarisht mirëmban Hogoshtin”. Përveç çmimeve për storiet fituese, Let’s Do It në këtë konferencë u ka ndarë mirënjohje të gjithë gazetarëve që kanë aplikuar në konkurs.
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj, ka falënderuar të gjitha gazetarët që ndër vite kanë përcjellur aktivitetin e Organizatës sonë në mbrojtje të mjedisit.
“Fushata Ta Pastrojmë Kosovën kurrë s’do të kishte kaq shumë rezultate si dhe mobilizim të qytetarëve, nëse nuk do të kishte këtë përkrahje nga gazetarët dhe mediat. E di që është detyrë e juaja që të jeni aty ku është lajmi, të mbuloni ngjarjet e mira dhe të kqija që ndodhin në vend, megjithatë duke e ditur tregun, jemi të nderuar që kemi bashkëpunim kaq të mirë me ju. Po ashtu, falenderoj edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për bashkëpunimin që ofrojnë tash e disa vite për fushatën. Ne kërkojmë përgjegjësi që përgjegjësit të kryejnë punët e tyre më mirë, si dhe t’i vetëdijësojmë qytetarët për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Falenderoj edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të Organizatës. Është nder për ne, që në mbështetje të Qeverisë, të bëjmë diçka për gazetarët që kanë bërë punë për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja”, ka thënë Hasanaj, i cili po ashtu ndau çmimin e parë për storien më të mirë për mjedisin.
Ndërsa, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, ka thënë se se ambienti është fryma jonë e përditshme.
“Ajo çka më shqetëson mua si kryetare e AGK-së dhe për lidershipet e kaluara, krerët shtetëror nuk kanë qenë të angazhuar aq sa duhet për çështjet mjedisore. Por, janë gazetarët edhe shoqëria civile që arrijnë ta ndryshojnë agjendën e krerëve shtetëror. Dua t’i uroj të gjithë gazetarët që fituan sot, dhe t’i ftojë gazetarët që të vazhdojnë me raportimet e tyre për mjedisin”, ka thënë Begolli-Pustina, e cila ka ndarë çmimin e dytë për storien më të mirë për mjedisin.
Gazetarja e Kohavisionit, Drita Slivova Polisi, e cila fitoi çmimin e parë në këtë konkurs, është shprehur e lumtur me fitimin e këtij çmimi, të cilin ia ka dedikuar vajzës së saj të vogël, Ridës.
Përveç falenderimit për Let’s Do It dhe AGK-në për ndarjen e këtij çmimi, Slivova Polisi falënderoi edhe ekipin e televizionit ku ajo punon për punën e palodhshme të tyre.
Ndërsa, fituesja e çmimit të dytë në këtë garë, gazetarja e T7, Florandë Morina, tha se do të vazhdojë trajtimin e problemeve mjedisore, derisa falënderoi televizionin ku punon për hapësirën që ua jep për trajtimin e këtyre çështjeve.
E lumtur për çmimin u shpreh edhe gazetarja fituese e çmimit të tretë, Drenusha Canolli, e cila po ashtu premtoi se do të vazhdojë trajtimin e temave nga fusha e mjedisit.
Çmimi i tretë në këtë ceremoni u nda nga aktorët Jeton Zogiani dhe Edi Kastrati, të cilët përmes sarkazmës përçuan mesazh për ruajtjen e mjedisit, si dhe përgëzuan gazetarët fitues të konkursit.
Ndonëse nuk ishte paraparë në konkurs, në këtë ceremoni u bë ndarja e çmimit të katërt për storien më të mirë për mjedisin.
Anëtari i Panelit Vlerësues, Fehmi Ferati ka folur për secilën prej storieve fituese, duke përgëzuar gazetarët për realizimin e tyre, derisa i ka porositur që të vazhdojnë me hulumtimin e storieve nga fusha e mjedisit.
“Qasja personale e gazetarëve ndaj çështjeve mjedisore e ndihmon kauzën e “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në këtë betejë jemi bashkë. Orientimi i mediave dhe storieve po ashtu ndikon për të motivuar dhe për ta rritur vullnetarizimin e aktivizimin. Kjo është ndihmë e njëkohësisht motivim. Kur shohim njëri tjetrin, ne motivohemi. Kosova ka probleme edhe më të thella të ambientit. Gazetarët momentalisht kanë edhe këtë detyrë: është paralele e njëjtë e gazetarisë investiguese të bëjë zbulimin e shkaktarëve të mjedisit, të nxisë reagimin e institucioneve, të evitojë problemin apo ta përcjell atë. Të luftosh për ambientin, do të thotë të luftosh për shëndetin publik. Në Kosovë po keqkuptohen disa gjëra: disa investime po amnistohen se kinse po nxisin krijimin e vendeve të punës, por në fakt po ndikojnë në ndotje të mjedisit. Pesë persona punësohen, 500 të tjerë sëmuren”, ka thënë Ferati.
Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Organizatës Let’s Do It, Skender Boshtrakaj, ka bërë ndarjen e mirënjohjeve për të gjithë gazetarët që kanë aplikuar në konkurs.
Boshtrakaj ka kujtuar rrugëtimin disa vjeçar të Let’s Do It, trajnimet me gazetarë ndër vite që ka mbajtur organizata si dhe suksesin që ka shënuar kjo fushatë, derisa ka përgëzuar ekipin për punën e palodhshme si dhe ka motivuar gazetarët që të vazhdojnë trajtimin e çështjeve mjedisore në storiet e tyre, pasi në këtë mënyrë rrisin vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.