by Artina Muqiqi
Choose a language:20/12/2018, 16:58
Mbahet tryeza e fundit rajonale në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, rezultatet përfundimtare prezantohen në janar
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është mbajtur tryeza e fundit rajonale me përfaqësuesit e komunave të Pejës, Istogut, Gjakovës, Rahovecit dhe Junikut, në të cilën është diskutuar për të arriturat dhe sfidat e Fushatës gjatë tre mujorëshit 15 shtator – 15 dhjetor 2018. Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka […]
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se të gjitha të dhënat e mbledhura nga diskutimet në këto tryeza do të adresohen te institucionet përkatëse, që të bëhet zgjidhje për të gjitha sfidat e përmendura nga akterët mjedisor.
“Mundemi me ju siguru që ne si Organizatë, krejt këto të dhëna të dala nga kjo tryezë do t’i adresojmë atje ku duhet dhe në të ardhmen të mos përsëriten ato probleme apo vështirësi. Sepse ne e dimë se kemi me u përballë me ndotje të ambientit sërish. Në pjesën e dytë të takimit do të shpjegojmë dhe diskutojmë modele zgjidhjesh se çfarë duhet të bëhet tutje për mirëmbajtjen e hapësirave të pastruara”, ka thënë Hasanaj.
E, koordinatori teknik të Task Forcës në kuadër të MMPH-së, Besmir Kokollari tha që Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka kaluar të gjitha pritshmëritë, derisa u bëri thirrje inspektorëve të mjedisit që të vazhdojnë me shpërndarjen e gjobave për ndotësit.
“Z.Hasanaj me ekipin e tij ka arritë me kthye vëmendjen e Qeverisë kah mjedisi, që të ndikojnë për mjedis të pastër. Me këtë Task Forcë kemi arritur synimin tonë të heqim një numër të madh të mbeturinave. Ju bëj thirrje inspektorëve të jenë të pakompromis në gjoba për ata që e ndotin ambientin”, ka thënë Kokollari.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues nga komunat përkatëse, të cilët përveç sukseseve të mëdha të Fushatës, folën edhe për sfidat me të cilat u përballen.
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi ka folur për deponitë që janë pastruar në këtë komunë dhe veprimet që i kanë ndërmarrë për të parandaluar ndotjen.
“Në komunën e Junikut janë pastruar 22 pika, të cilat nuk ekzistojnë më. Në këtë kuadër kemi arritur të hartojmë dhe kalojmë një vendim të rëndësishëm për ujërat dhe lokacionet për mbetje inerte. E kemi lokalizuar vendndodhjen e tij. Kemi vazhduar edhe me rrjet të ujërave të zeza. Kemi nda buxhet ekskluziv për kamera, për siguri edhe për mbrojtje të ambientit në pika të caktuara. Konsideroj se në këtë drejtim, kemi emëruar inspektorë shtesë, kemi emëruar edhe aktivistë të tjerë për shqiptimin e gjobave mandatore”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa, përfaqësuesi i Komunës së Istogut, Enver Rugova tha se Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” është realizuar me sukses në këtë komunë.
“Kemi filluar edhe me deponitë ilegale. Organizata na ka sjellë shënime se janë 48 deponi të mëdha ilegale dhe mbetje inerte. Si komunë e kemi angazhuar një kompani që e ka bë pastrimin ditor dhe në fund ka pastruar më shumë se 30 deponi. Në bashkëpunim me “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me Qeverinë, aksioni ka qenë i frytshëm sa i përket komunës sonë”, ka thënë ai.
E, koordinatori lokal i Gjakovës, Fatos Deda ka shprehur shqetësimin e tij për ndotjen e sërishme të deponive që janë pastruar gjatë Fushatës.
“Në Gjakovë këtë aktivitet të gjobitjes e kemi nisë që para tri vjetëve. Gjakova i ka të emëruar 19 inspektorë, inspektorë mund të jenë edhe qytetarët. Deri më tani janë shqiptuar diku 100 gjoba. Puna ka ngecë tek policia sepse normalisht kanë punë të tjera dhe është normale. Kapacitetet i kanë të limituara. Problemi tjetër është mungesa e buxhetit. 128 deponi të mëdha ose të vogla janë eliminuar, nga ato një ton deri në 60-70 ton. Me aktivistë 7000 qese janë grumbulluar”, tha Deda.
Përfaqësuesja e Komunës së Rahovecit, Bjondina Ramaj ka thënë se duhet të bëhet një plan me zgjidhje më afatgjate për mirëmbajtjen e deponive që janë pastruar gjatë Fushatës.
“Nuk ka sasi të mëdha deponi, kemi largu diku 23 deponi, nuk ka mbet edhe shumë deponi. Qysh në maj është vendimi për caktimin e lokacionit për mbeturina inerte. Sa i përket deponive, janë largu një pjesë e madhe por ato po ripërsëriten. Mendoj se duhet të bëhet një plan më afatgjatë”, ka thënë Ramaj.
E, përfaqësuesë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” janë angazhuar dhjetëra zyrtarë policorë dhe se nuk është raportuar për asnjë incident.
Let’s Do It ju njofton se rezultatet e të gjitha komunave të Kosovës do të prezantohen në konferencën përmbyllëse të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila mbahet në janar.