by Artina Muqiqi
Choose a language:11/12/2018, 15:23
Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdon në Rahovec
Mbi 200 thasë me mbeturinat janë larguar nga dy lokacione që u pastruan sot në Komunën e Rahovecit, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Fillimisht u pastrua lokacioni te varrezat e qytetit të Rahovecit, për të vazhduar pastaj te ura e Drenocit, ku u pastrua brezi rrugor. Besnik Shabiu nga Let’s Do It ka […]
Fillimisht u pastrua lokacioni te varrezat e qytetit të Rahovecit, për të vazhduar pastaj te ura e Drenocit, ku u pastrua brezi rrugor.
Besnik Shabiu nga Let’s Do It ka thënë se pavarësisht temperaturave të ulëta, po vazhdojnë aksionet për pastrimin e deponive ilegale në tërë Kosovën.
Ai tha se tash kur jemi në javën e fundit të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, po i afrohemi numrit të 800 deponive të pastruara në tërë Kosovën.
“Ky mobilizim sot po tregon më së miri se sa efekt ka aksioni i pastrimit. Ka vullnet dhe dëshirë të madhe të vullnetarëve për t’iu bashkuar këtyre aksioneve, pavarësisht temperaturave të ulëta. Kosova nuk mertiton pamje të tilla, në vende kaq të mira. Por këto mobilizime janë tregues i qartë se Kosova është gati të pastrohet. Tash kur jemi në javën e fundit të Fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” po i afrohemi numrit të 800 deponive të pastruara në tërë Kosovën, por natyrisht që sfidë do të jetë mirëmbajtja e tyre. Fushata nuk duhet të mbarojë, duhet të vazhdojmë me mirëmbajtjen e mjedisit”, ka thënë Shabiu.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka falendëruar të gjitha kompanitë që janë angazhuar për pastrim në këtë komunë.
“Aksione si ky ngrisin vetëdijen, pasi përveç largimit të mbeturinave, ne japim mesazh se mbeturinat duhet të hudhen aty ku e kanë vendin, e jo skaj rrugës, siç ka ndodhur në këtë rast. Ne sot po largojmë mbeturinat që janë grumbulluar me vite, nga qytetarët e papërgjegjshëm dhe operatorët ekonomik që kanë punuar për zgjerimin e aksit rrugor. Ne do të vazhdojmë aksionin edhe rrugët tjera rajonale, si dhe do t’ju bëjmë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina, në të kundërtën gjobiten. Shpresojmë se qytetarët e Rahovecit po vetëdijësohen se sa e rëndësishme është mbrotja e mjedisit dhe ambienti i pastër dhe i gjelbër”, ka thënë Latifi.
Aksionit të sotëm përveç vullnetarëve të shumtë, iu bashkuan edhe nxënës të Gjimnazit “Xhelal Hajda – Toni”. Aksioni i nisur nga vullnetarët do të vazhdojë edhe gjatë ditës me makineri.
Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë deri më 15 dhjetor, e cila do të rezultojë me pastrimin e 800 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën.
Natyrisht që sfiduese do të jetë mirëmbajtja e hapësirave të pastruara tashmë, andaj përveç vetëdijes së qytetarëve, kërkojmë që edhe institucionet të vazhdojnë me gjobitjen e ndotësve.