Në Ditën Botërore të Vullnetarizmit, Let’s Do It falenderon qindra mijëra vullnetarë që u bashkuan për pastrimin e Kosovës

5 Dhjetori shënon Ditën Botërore të Vullnetarizmit në tërë botën. Në këtë Ditë, Let’s Do It Kosova falendëron qindra mijëra vullnetarë, të cilët iu janë bashkuar aktiviteteve të Organizatës ndër vite dhe kanë mundësuar zhvillimin e aktiviteteve që nga viti 2012 e deri më tani. Të gjithë vullnetarët bashkë kanë kontribuar në kauzën tonë të […]

5 Dhjetori shënon Ditën Botërore të Vullnetarizmit në tërë botën.

Në këtë Ditë, Let’s Do It Kosova falendëron qindra mijëra vullnetarë, të cilët iu janë bashkuar aktiviteteve të Organizatës ndër vite dhe kanë mundësuar zhvillimin e aktiviteteve që nga viti 2012 e deri më tani.

Të gjithë vullnetarët bashkë kanë kontribuar në kauzën tonë të përbashkët për pastrimin e Kosovës, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si dhe aktivizimin e institucioneve karshi përgjegjësive të tyre për mjedisin.

Për herë të parë, falë një angazhimi më të madh vullnetar, problemi i mjedisit në Kosovë u bë prioritet institucional dhe qytetar. Së fundmi, numër i madh i vullnetarëve u janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve për pjesëmarrje në aktivitetet që u realizuan në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Vullnetarët për Let’s Do It Kosova kanë qenë shtytësi dhe frymëzimi kryesor i aktiviteteve tona. Falë angazhimit të vazhdueshëm të  tyre, ne ia kemi dalë bashkërisht që ta ndryshojmë pasqyrën e vendit tonë dhe ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë e të pastër për të jetuar.

Përveç falendërimit për vullnetarë, Let’s Do It Kosova kërkon nga institucionet përgjegjëse që puna e vullnetarëve të njihet edhe me ligj, në mënyrë që të krijohet një ambient më i favorshëm për zhvillimin e vullnetarizmit në Kosovë.

Në Ligjin për Vullnetarizmin, vullnetarëve duhet t’u lejohet angazhimi në aksione, të njihet kontributi i tyre, si dhe të përcaktohen të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.

Po ashtu, është i domosdoshëm bashkëveprimi i aktiviteteve mes institucioneve, shoqërisë civile dhe komunitetit në mënyrë që të vazhdohet me organizimin më të shpeshtë të aktiviteteve, projekteve dhe iniciativave për vullnetarizëm.

Angazhimi i qindra mijëra vullnetarëve për një Kosovë të pastër dëshmon edhe njëherë se si rinia më e re në Evropë – ajo e Kosovës, ka vullnet për të kontribuar në aktivitete në të mirë të vendit, vetëm pse është domosdoshmëri krijimi i një ambienti më të favorshëm për vullnetarizëm.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është vendosur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985.

Qëllimi i kësaj dite është të falënderohen vullnetarët për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri.