by Besnik Shabiu
25/09/2018, 16:03
Thirrje për të pastruar sërish te stadiumi “Fadil Vokrri”
35 kamionë dhe 150 thasë me mbeturina janë larguar afër stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet para disa ditëve në një aksion tre ditor që u realizua në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Por, kjo hapësirë që u pastrua për tri ditë radhazi nga vullnetarë të shumtë, është mbushur sërish me mbeturina. Gjatë monitorimit që […]
Gjatë monitorimit që kanë bërë sot në atë zonë, vullnetarët e Let’s Do It Kosova kanë parë se për dy ditë ajo hapësirë është mbushur sërish plot mbeturina.
Aksioni për pastrimin e asaj zone kishte filluar të premten, ndërsa me të përfunduar të dielën, Let’s Do It Kosova ka njoftuar inspektorët dhe ka kërkuar nga ta që të mbikëqyrin atë zonë dhe t’i gjobisin të gjithë ata që e ndotin.
Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Let’s Do It Kosova, nuk është ndërmarrë asnjë hap për mbrojtjen e asaj zone nga ndotja.
Kjo ka shtyrë Let’s Do It Kosovën që nesër të organizojë sërish aksion pastrimi te stadiumi “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 11:00.
Pas kësaj papërgjegjësie, Let’s Do It Kosova po ashtu kërkon nga Komuna e Prishtinës që ta mbyll tregun që gjendet në atë zonë, pasi është mënyra e vetme për ta mbrojtur nga ndotja e vazhdueshme.
Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova u bën thirrje publike kompanive të pastrimit, tifozëve e të gjithë qytetarëve që të na bashkohen në aksionin e nesërm për largimin e mbeturinave nga ajo zonë.