by Besnik Shabiu
22/11/2018, 18:01
Prezantohen rezultatet e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në rajonin e Prizrenit
Tryeza e radhës me qëllim të diskutimit të të arriturave të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori e deri më tani është mbajtur me komunat e rajonit të Prizrenit. Në tryezën e sotme, drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se institucionet e kanë rritur efikasitetin e tyre të veprimit si […]
Në tryezën e sotme, drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se institucionet e kanë rritur efikasitetin e tyre të veprimit si dhe marrjes së përgjegjësisë karshi problemeve mjedisore gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, por që vazhdon me qenë problem mirëmbajtja e brezave rrugor, për shkak të qytetarëve të papërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturinat nga veturat e tyre, si dhe kompanive të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale dhe magjistrale.
Aty u diskutua për të arriturat që shënuan Komuna e Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës, me largimin e dhjetëra deponive ilegale të mbeturinave, caktimin e lokacioneve për mbetje interte, si dhe mbjelljen e qindra fidanëve. Po ashtu, përfaqësues të task forcave lokale njoftuan se inspektorët tashmë kanë filluar edhe me shpërndarjen e gjobave për ndotësit.
Përfaqësues të task forcave lokale njoftuan se nga ky rajon, në Komunën e Prizrenit deri më tani janë pastruar më shumë se 30 deponi e në Suharekë janë pastruar 38 deponi. Ngjashëm edhe në Malishevë, deri më tani janë pastëruar dhjetëra deponi. Kjo komunë tha se shqetësimin kryesor e ka me deponitë e shumta me mbetjet interte dhe eliminimin e tyre.
Po ashtu, u njoftua se në kuadër të Fushatës deri më tani janë shpërndarë dhjetëra gjoba, falë qytetarisë aktive të qytetarëve, të cilët po evidentojnë ndotjen përmes fotografimit të qytetarëve të papërgjegjshëm duke hedhur mbeturina.
Në tryezën e sotme, zyrtarët policor njoftuan se në Rajonin e Prizrenit nuk është shënuar asnjë incident në kuadër të aktiviteteve që u organizuan gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”
Komunat e këtij rajoni u zotuan se do ta vazhdojnë angazhimin e tyre për zgjerimin e hapësirave të gjelbra, si dhe mirëmbajtjen e zonave që veçse janë pastruar.
Kryesuesi i Task Forcës Teknike në Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” nga MMPH, Besmir Kokollari, ka thënë gjatë tryezës së sotme se fushata ka tejkaluar të gjitha pritjet, falë mobilizimit të të gjithë akterëve përkatës.
Let’s Do It Kosova ju njofton se në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori e deri më tani janë pastruar mbi 500 deponi ilegale të mbeturinave.