by Besnik Shabiu
21/11/2018, 19:42
Në tryezën e Gjilanit u kërkua ruajtja e hapësirave të pastruara dhe gjobitja e ndotësve
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryeza e radhës me komunat e rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt, ku është diskutuar për të arriturat e komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator kur edhe filloi fushata e deri më tani. Në tryezën e sotme, përfaqësuesit e komunave bën të ditur se […]
Në tryezën e sotme, përfaqësuesit e komunave bën të ditur se deri më tani, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, janë pastruar dhjetëra deponi ilegale të mbeturinave, janë mbjell qindra fidanë, si dhe në shumicën e komunave janë përcaktuar lokacionet për mbetje inerte.
Komunat e rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt kanë ngritur shqetësimet e tyre për sfidat me të cilat po përballen, siç janë: mirëmbajtja e hapësirave të pastruara, vështirësitë në zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, rëndësia e bashkëpunimit mes akterëve mjedisorë përkatës të të gjitha niveleve për ta bërë këtë udhëzim me praktik, trajtimi i mbetjeve inerte, medicinale, shtazore, vajrave e të tjera.
Edhe në këtë tryezë, ngjashëm si ato me rajonet tjera, Let’s Do It kërkoi nga komunat që në vazhdimësi t’i drejtojnë problemet dhe kërkesat e tyre, të cilat ne do t’i adresojmë tek autoritetet përgjegjëse.
Në tryezën e sotme në Gjilan përveç ekipit të Let’s Do It, morën pjesë edhe zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri si dhe kryesues të task forcave të komunave të rajonit të Gjilanit, si: Kamenica, Artana dhe Vitia, si dhe të rajonit të Ferizajt, si: Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit dhe Shtërpca.
Në tryezën e sotme në Gjilan, drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur vullnet më të madh politik se tani për ta mbështetur fushatën për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit dhe se e njëjta duhet të vazhdojë edhe pas 15 shtatorit.
“Sot ne diskutojmë çka ka mbet pa u realizuar, cilat janë ato që është dashtë institucionet me i realizu, po flas për nivelin qendror, por pse jo edhe për atë lokal. Asnjëherë më parë nuk ka pasur vullnet më të madh politik se tani për ta mbështetur fushatën për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit dhe se e njëjta duhet të vazhdojë edhe pas datës 15 shtator, duke punuar të gjithë së bashku për mirëmbajtjen e hapësirave të pastruara dhe duke investuar në zhvillim të qëndrueshëm mjedisor”, ka thënë Hasanaj.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri ka thënë se mjedisi në Kosovë duhet të trajtohet si problem sistemor.
“Ne mjedisin e trajtojmë si problem sistemor, sepse sado që ndërtojmë infrastrukturë rrugore, edhe në komunitet, nëse nuk e largojmë bërllokun, ambienti mbetet i ndotur dhe Kosova mbetet si njëri nga vendet ku çdo komunë ka deponi ilegale të cilat nuk trajtohen dhe mbesin si problem kryesor. Ne së bashku me Let’s Do It Kosova kemi largu qindra tonelata bërllok, por prapë vazhdon me na përcjell problemi i njëjtë. Tashmë ne kemi caktuar deponi për mbetje inerte, por po vazhdon me qenë problem menaxhimi, andaj duhet ta gjemë operatorin dhe t’i japim kontratë atij, sepse vetëm me e caktu vendbanimin nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Haziri.
Let’s Do It ju njofton se në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” deri më tani janë pastruar mbi 500 deponi ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën, dhe puna do të vazhdojë me intensitet të njëjtë deri më 15 dhjetor.