Mbahet tryeza për të arriturat e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në rajonin e Prishtinës

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryezë me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani. Në tryezën e sotëm morën pjesë zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe kryesues të task […]

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryezë me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani.

Në tryezën e sotëm morën pjesë zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe kryesues të task forcave të komunave të rajonit të Prishtinës, si Obiliqi, Podujeva, Lipjani dhe Drenasi.

Në secilën prej komunave të rajonit të Prishtinës nga fillimi i Fushatës e deri më tani janë pastruar dhjetëra deponi ilegale të mbeturinave, më të mëdhatë nëpër komuna. Po ashtu janë mbjell qindra fidanë si dhe janë përcaktuar lokacionet për mbetjet inerte.

Gjatë tryezës, secila nga komunat prezantoi edhe vështirësitë me të cilat po përballen gjatë Fushatës, por pavarësisht kësaj,u zotuan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre deri në fund të kësaj fushate.

Po ashtu, në Tryezë u theksua edhe nevoja që Fushata për pastrimin e Kosovës të vazhdojë gjatë tërë vitit, jo vetëm tre muaj.

Komuna e Prishtinës gjatë tryezës së sotme njoftoi se kanë bërë planin për eliminimin e  deponive më të mëdha të mbeturinave që janë evidentuar.

Ndërsa, nga Komuna e Obiliqit bën të ditur se deri më tani janë pastruar 30 deponi ilegale të mbeturinave. Po ashtu, zyrtarë të kësaj komune bën të ditur se në Obiliq në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar një garë mes shkollave për pastërti, ku shkolla më e pastër do të shpërblehet me 5000 euro nga kryetari i Komunës.

Ndërsa, nga Komuna e Drenasit njoftuan se janë duke planifikuar buxhetin për largimin e deponive ilegale të mbeturinave për çdo vit. Në këtë Komunë janë evidentuar 137 deponi, prej të cilave 74 janë eliminuar, 20 prej të cilave në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Po ashtu u bë e ditur se tashmë janë ndarë mjete financiare për kompani që të vazhdojnë me eliminimin e deponive ilegale. Kjo komunë tashmë ka caktuar edhe lokacionin për mbetje inerte.

Edhe në Komunën e Podujevës, ka vazhduar pandërprerë Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në këtë komunë të gjitha institucionet lokale i janë bashkuar fushatës, në kuadër të së cilës janë organizuar disa aksione deri më tani. Nga 15 shtatori deri më tani në këtë Komunë janë mbjell 100 fidanë, si dhe ka filluar pastrimi i shtratit të lumit. Edhe Komuna e Podujevës ka caktuar lokacionet për dy deponi të mbetjeve inerte.

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori e deri më tani, në Komunën e Lipjanit janë organizuar tetë aksione të pastrimit, pesë nga të cilat kanë qenë në zona rurale, ndërsa tri aksione të tjera në zona urbane. Komuna tashmë ka caktuar edhe lokacionin për mbetje inerte, si dhe ka ndarë buxhet për largimin e deponive ilegale të mbeturinave për vitin e ardhshëm.

Në tryezën e sotme u vlerësua lart edhe angazhimi i Policisë së Kosovës në Fushatë. Zyrtarë policor kanë ofruar siguri gjatë aksioneve të pastrimit, sidomos në brezat rrugor. Pas 15 shtatorit, Policia e Kosovës ka ofruar ndihmë në 13 komuna, ku janë angazhuar mbi 130 zyrtarë policor për ta përcjell gjendjen. Nga 15 shtatori, e deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident në kuadër të Fushatës, gjersa ka filluar edhe shqyrtimi i gjobave për ndotësit.

Disa nga vështirësitë e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” që u përmenden nga Komunat ishin: grumbullimi i mbetjeve të rrezikshme, si kimikale, medicinave apo mbetje shtazore, numri i vogël i inspektorëve të mjedisit, inspektimet e mangëta të lokacionet ku hidhen mbeturinat, gjobat e pakta për ndotësit e të tjera.

Let’s Do It ju njofton se tryeza të ngjashme për të arriturat e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori e deri më tani do të mbahen edhe në rajonet e tjera të Kosovës.