by Besnik Shabiu
10/11/2018, 16:30
Vazhdon Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” – Kryeministri i bashkohet aksionit në Gërmi
Mbi 100 thasë me mbeturina janë larguar sot në aksionin e pastrimit që u organizua te Parku i Gërmisë, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Aksioni i sotëm filloi nga ora 10:00, ndërsa përveç pastrimit të brezit rrugor, me makineri filloi largimi i një deponie të madhe me mbetje ndërtimore në afërsi të portës […]
Aksioni i sotëm filloi nga ora 10:00, ndërsa përveç pastrimit të brezit rrugor, me makineri filloi largimi i një deponie të madhe me mbetje ndërtimore në afërsi të portës në hyrje në Parkut.
Aksionit te Parku i Gërmisë iu bashkua edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se tash e sa vite ka munguar kujdesi për mirëmbajtjen e hapësirave publike në kryeqytet, andaj i bëri thirrje kryetarit të kësaj komune, Shpend Ahmetit që të kujdeset për këto hapësira.
“Nuk është kosto e lartë që të largohen këto materiale ndërtimore dhe të kthehet në park një hapësirë e vogël si kjo. Në të kaluarën Kosova dhe shqiptarët, kanë qenë të shquar për njerëz që kanë pasur respekt për hapësirat e përbashkëta. I lus qytetarët që të mos i votojnë ata kryetarë të komunave që nuk kujdesen për hapësirat e përbashkëta publike. Në çdo komunë ku kam shkuar, kam parë mbeturina” tha kryeministri Haradinaj.
Tutje, ai paralajmëroi ndëshkimin e të gjithë atyre që hedhin mbeturina pas 15 shtator, kur edhe përfundon fushata, derisa falënderoi të gjithë vullnetarët që u bën pjesë e aksioneve të pastrimit në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj bëri të ditur se në kuadër të Fushatës, deri më tani janë pastruar 450 deponi dhe janë larguar 15 mijë tonë mbetje ndërtimore.
“Po pastrohet çdo ditë. Sot jemi në Gërmi për të vazhduar pastrimin e kësaj zone por edhe të komplet deponive që janë në brezin rrugor në këtë lokalitet. Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” deri më tani janë pastruar 450 deponi. Pra, janë pastruar më shumë se gjysma e deponive ilegale dhe me këtë dinamikë do të vazhdojnë deri në fund të Fushatës. Deri më tani janë larguar mbi 15 mijë ton mbetje ndërtimore”, tha Hasanaj.
Ai kërkoi nga kryetarët e komunave që kur të lëshohen lejet ndërtimore të kihet kujdes të gjendet edhe vendi për hedhjen e mbetjeve.
Përveç aksionit të pastrimit, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është mbajtur edhe trajnim me 28 mësimdhënës në Komunën e Podujevës, me qëllim të rritjes së fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.