by Artina Muqiqi
Choose a language:03/03/2020, 18:50
Ndërtimet në Liqenin e Badovcit, tema më e pasqyruar në mediet elektronike
Organizata “Let’s Do It Kosova” ka nisur monitorimin e raportimit të medieve në fushën e mjedisit. Nga rreth 100 artikuj të analizuar, që janë publikuar në mediet elektronike gjatë muajve janar-shkurt 2020, del që tema më e trajtuar nga mediet në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ishte nisma për ndërtime në afërsi të Liqenit të Badovcit. […]
Nga rreth 100 artikuj të analizuar, që janë publikuar në mediet elektronike gjatë muajve janar-shkurt 2020, del që tema më e trajtuar nga mediet në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ishte nisma për ndërtime në afërsi të Liqenit të Badovcit.
Sipas monitorimit të organizatës, gjatë dy muajve të parë të vitit, mediet në mënyrë më intenzive kanë publikuar lajme të cilat e njoftonin opinionin publik me të gjitha detajet e mobilizimit të qytetatarëve për të kundërshtuar ndërtimin e një lagjeje luksoze në këtë vend, deri në vendimin për anulim.
Në artikujt e publikuar në portale, u theksua sesi këto ndërtime rrezikojnë ujin e pijshëm për banorët e rajonit të Prishtinës dhe nisma u pa si lejim i degradimit të natyrës nga vetë institucionet. Nga të dhënat e monitorimit rezulton se, sa i përket raportimeve nga fusha e mjedisit, mediet e kanë parë si prioritare pasqyrimin e të gjitha reagimeve kundër ndërtimeve në Badovc dhe qëndrimet e institucioneve e akterëeve relevantë. U raportua edhe për aksionin për pastrimin e liqenit të Badovcit, të organizuar nga “Let’s Do It Kosova”.
Nga monitorimi rezulton që mediet elektronike i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme temave që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rolin e madh të tyre për ta njoftuar opinionin publik për anulimin e vendimit për ndërtimet në afërsi të liqenit të Badovcit.
Përveç raportimit për Badovcin, mediet gjatë këtyre dy muajve po ashtu publikuan artikuj për shkaqet e pasojat e ndotjes së ajrit në Kosovë, deponitë ilegale, ujërat e zeza. Në fund të muajit shkurt, u raportua edhe për djegie të gomave e mbeturinave në rrethinën e Gjilanit, shembuj të ndotjes së lumenjve dhe dëshmi për ndotje të ambientit në Brezovicë.
“Let’s Do It Kosova” ju njofton që me qëllim të potencimit të rolit të medieve në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, do ta vazhdojë monitorimin e tyre edhe në muajt në vazhdim.