by Artina Muqiqi
Choose a language:22/03/2020, 21:47
Grupi joformal “Vullnetarë kundër coronavirus-it në Kosovë”
Në vlugun e debateve politike që nuk i kontribuojnë luftës kundër virusit Covid-19, por vetëm e pengojnë atë, duke qenë në dijeni për nivelin e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe në vazhdën e thirrjeve e protestave të qytetarëve për t’i ndalur konfrontimet politike, u bëjmë thirrje Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentares së Republikës së Kosovës, që […]
Në vlugun e debateve politike që nuk i kontribuojnë luftës kundër virusit Covid-19, por vetëm e pengojnë atë, duke qenë në dijeni për nivelin e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe në vazhdën e thirrjeve e protestave të qytetarëve për t’i ndalur konfrontimet politike, u bëjmë thirrje Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentares së Republikës së Kosovës, që të unifikohen në luftën kundër pandemisë.
Duke qenë në dijeni për numrin e madh të personave që kanë hyrë në Kosovë para aplikimit të masës për mbyllje të kufirit me vendet tjera dhe ndalimit të fluturimeve si dhe me rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19, kërkojmë marrjen e masave më të rrepta në funksion të parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të virusit.
Duke qenë në dijeni për peshën e ruajtjes së jetës të secilit qytetar dhe mbrojtjes kushtetuese të të drejtave themelore të tyre, ne i bëjmë thirrje qeverisë që në koordinim me institucionet tjera të angazhohet për:
- Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse duke paraparë të gjitha masat të cilat shtetet tjera po i ndërmarrin dhe të cilat nuk parashihen në legjislacionin vendor;
- Në momentin e nevojshën të vlerësuar nga ekspertët të shpallet gjendje e jashtëzakonshme shëndetësore duke vendosur kufizime mbi veprimet të cilat mund të ndërmerren nga secili organ shtetëror;
- Të vazhdohet me përkushtim menaxhimi i situatës sic është bërë deri më tani, me transparencë dhe llogaridhënie;
- Të sigurohet një plan për t’i mbështetur familjet në vështërsi ekonomike;
- Të sigurohet një plan për mbështetjen e sektorit të biznesit dhe njëkohësisht të aktivizohen inspektorët për rastet kur kemi të bëjmë me shkelje të kontratave të punës dhe Ligjit të Punës;
- Të shfrytëzohet mbështetja nga donatorët vendor dhe ndërkombëtar në plotësimin e nevojave të parapara në periudhën kritike.
Grupi vazhdon të jetë i përkushtuar për t’i përkrahur institucionet në luftën ndaj covid-19. Në këtë kohë më e mira që mund të bëhet nga qytetarët është zbatmi në mënyrë rigoroze udhëzimi i institucioneve për qëndrim në shtëpi.
“Vullnetarët kundër Coronavirusit në Kosovë”, që aktualisht numëron 5 724 anëtarë është krijuar me qëllim të bashkimit të të gjithë atyre qytetarëve që duan të kontribuojnë vullnetarisht për të menaxhuar sa më me lehtësi situatën e krijuar si pasojë e coronavirusit. Poashtu qëllim i këtij grupi është shpërndarja e saktë e informatave të ndryshme në lidhje me masat parandaluese ndaj këtij virusi si dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të jap ndihmë për qytetarët në nevojë.