Me aksione pastrimi, mijëra fidanë të mbjellur e shumë aktivitete tjera – “Let’s Do It” përmbyllë “Javën e Tokës”

Me dhjetëra aksione pastrimi, mbjellje të mijëra fidanëve, gara, aktivitete sportive e aktivitete të shumta gjithandej Kosovës është shënuar ‘Java e Tokës’, të cilën “Let’s Do It” e nisi më 19 prill. Nga 19 prill deri sot [27 prill 2019], çdo ditë u organizuan aktivitete të shumta nga vullnetarë të “Let’s Do It”, në bashkëpunim […]

Me dhjetëra aksione pastrimi, mbjellje të mijëra fidanëve, gara, aktivitete sportive e aktivitete të shumta gjithandej Kosovës është shënuar ‘Java e Tokës’, të cilën “Let’s Do It” e nisi më 19 prill.

Nga 19 prill deri sot [27 prill 2019], çdo ditë u organizuan aktivitete të shumta nga vullnetarë të “Let’s Do It”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ambasada të huaja në Kosovë, kompani të pastrimit, shkolla, KFOR-i, Policia e Kosovës e biznese, në komuna të ndryshme.

Edhe njëherë tjetër, u dëshmua mobilizim i jashtëzakonshëm i të gjithë akterëve, për çka jemi jashtëzakonisht të lumtur. E, edhe më të lumtur do të ishim sikur aktivitete të ngjashme për mbrojtjen e mjedisit të vazhdonin çdo ditë në tërë territorin e Kosovës nga këta akterë, të cilët i falënderojmë për bashkëpunimin e ngushtë që patëm gjatë këtyre ditëve.

“Java e Tokës” nisi me aksion pastrimi e mbjellje fidanësh në Komunën e Skenderajt. Gjatë këtij aksioni u larguan dhjetëra thasë mbeturina dhe u bë thirrje që hapësirat e pastruara të mirëmbahen. Mbeturinat e mbledhura u larguan nga KRM “Uniteti”.

Aktivitetet vazhduan më 21 prill në Lagjen 028 në Fushë Kosovë. Hapësira e cila ishte pastruar në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, nga një deponi mbeturinash u shndërrua në hapësirë të gjelbëruar. Aty u mbollën dhjetëra drunj e fidanë që u dhuruan nga Kosovo CSR Network. Përveç mbjelljes së fidanëve, në atë zonë u vendosen edhe shporta mbeturinash.

Aktivitete më shumë pati më 22 prill – në Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Aktivitetet për këtë ditë filluan te “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë. Jemi të gëzuar që së bashku me komunën e Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe OJQ të tjera, arritëm që t’i kthejmë pamjen e merituar këtij vendi, i cili para së gjithash bart në vete një pjesë shumë të rëndësishme nga e kaluara e vendit tonë. Aty përveç pastrimit, u mbollën edhe fidanë.

Më 22 prill aksion pati edhe në Komunën e Prizrenit, te lokacioni që njihet si ish-stacioni i trenit, nga ku u larguan 50 thasë me mbeturina. Pjesë e këtij aksioni ishin edhe anëtarët nga “Kuvendi i të rinjve” të Prizrenit. Mbeturinat e grumbulluara u larguan nga KRM “Ekoregjioni”.

Tutje, aktivitetet e 22 prillit vazhduan në Komunën e Gjilanit, ku Let’s Do It së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Gjilanit kanë vazhduar aksionin e pastrimit në fshatin Shillovë të Gjilanit, i banuar me shumicë të komunitetit serb. Aksionit iu bashkua edhe shefja e UNDP-së, Ulirika Richardson. Mbeturinat e grumbulluara u larguan nga KRM “Ekohigjiena”

Pas këtij aksioni të pastrimi në Sillovë, aktivitetet e “Let’s Do It” vazhduan në Fshatin Dobërçan, ku u vendosën shporta.

Aktivitetet për nder të “Javës së Tokës” vazhduan edhe të nesërmen, më 23 prill.

“Let’s Do It” në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, komunën e Prishtinës, OJQ të tjera si dhe studentë e vullnetarë realizuan aksion pastrimi dhe mbjellje të fidanëve në hapësirat e Kampusit Universitar. Gjatë këtij aksioni u larguan me dhjetëra thasë me mbeturina si dhe u mbollën 30 fidanë, ndërsa aksioni vazhdojë edhe të nesërmen me mbjelljen e 500 luleve.

Po ashtu, më 23 prill, “Let’s Do It” si pjesë e këshillit organizativ për Ditën e Tokës bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komunën e Prishtinës dhe OJQ të tjera realizuan një mori aktivitetesh në Badovc, qendra “Pylli i Arinjve”, ku edhe u mbajt ceremonia qendrore. Aktivitetet kryesore që shënuan këtë ditë ishin mbjellja e fidanëve, prezantimi i punimeve të nxënësve nga materialet e riciklueshme e të tjera. Gjithashtu ekipi i “Let’s Do It” realizuan edhe një aksion pastrimi në Badovc në njërin nga vendndalimet e autobusëve nga ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina.

Më 24 prill, në hapësirë të gjelbëruar u shndërrua deponia e mbeturinave te “Fusha e Pajtimit”, e cila u pastrua në Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Edhe për këtë lokacion, Kosovo CSR Network kontribuoi me një sasi fidanësh që u mbollën.

Në të njëjtën datë [24 prill], me iniciativë të disa banorëve të Orllanit dhe me mbështetje të policisë së Kosovës dhe KFOR-it u realizua aksion pastrimi në hapësirat përreth liqenit të Batllavës ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina.

Më 25 prill, aktivitetet për shënimin e Ditës së Tokës në kuadër të “Javës së Tokës”vazhduan në lagjen “Pejton”, ku në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Prishtinë, realizuam aksion pastrimi në hapësirat e kësaj lagje. Në këtë aktivitet u bashkuan edhe ambasadat e tjera të huaja, të cilat operojnë në këtë lagje, si ajo e Italisë, Shqipërisë, Norvegjisë, Finlandës e poashtu edhe disa biznese lokale, si dhe kopshti i fëmijëve “Xixëllonjat” dhe “Happy Kids”.

Gjatë këtij aksioni, u grumbulluan dhjetëra thasë me mbeturina, shumë prej të cilëve u mblodhën para hapësirave të objektit të Ambasadës Italiane, ku qytetarë të shumtë të cilët presin për viza hedhin mbeturina. “Let’s Do It” vendosi disa shporta para hapësirave të objektit të Ambasadës Italiane dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj veprimeve të tyre karshi mjedisit dhe të mos e ndotin atë.

Më 26 prill u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 500 kontejnerë dhe 500 shporta për 13 komuna të Kosovës. Përfituese të këtyre kontejnerëve dhe shportave kanë qenë komuna e Junikut, Podujevës, Istogut, Skenderajt, Pejës, Prizrenit, Hanit të Elezit, Shtimes, Mitrovicës, Lipjanit, Malishevës, Rahovecit dhe Deçanit. Përzgjedhja e këtyre komunave është bërë në bazë të angazhimit të tyre në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila u mbajt nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2018. Ceremonia e shpërndarjes së kontejnerëve e shportave u bë në ambientit e Kompanisë “Pastrimi”. Kujtojmë se në Konferencën përmbyllëse të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, disa prej komunave u është ndarë granti prej 1.2 milionë eurosh i MMPH-së.

Po ashtu, në të njëjtën datë u bë shpallja e tri shkollave përfituese të grantit në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”. Ky grant është pjesë e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, të vitit të kaluar. Shkollat fituese ishin:

  1. SHFMU “Ali Krasniqi”-Ujmirë ” -Klinë (Gezim Hasanaj).
  2. shfmu “Drita” ne Majac” -Podujevë (Mevlude Krasniqi).
  3. Gjimnazi “Haxhi Zeka” -Istog (Ukë Arifaj & Gëzime Pacaj).
  4. Shfmu “Shaban Jashari” -Skënderaj Shqipe Mziu-Bimbashi.

Aktivitetet e “Javës së Tokës” u përmbyllen sot [27 prill] në Komunën e Deçanit.

Gjelbërimit të bukur brenda hapësirave të SHFMU “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit, sot iu shtuan edhe dhjetëra fidanë të cilat i mbollëm bashkë me drejtorin, mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle. Përveç mbjelljes së këtyre fidanëve, zhvilluam edhe një aksion pastrimi brenda dhe jashtë hapësirave të kësaj shkolle. Bashkë me ne ishte edhe kryetari i fshatit të Drenocit, si dhe përfaqësuesi i kompanisë së pastrimit në komunën e Deçanit. Fidanët e mbjellura ishin dhuratë nga fidanishtja e dru frutorëve “Dinamanti” në Drenoc. Poashtu, falënderojmë edhe “Swiss Marketing Group” për ndihmën në organizimin e këtij aktiviteti.

Edhe njëherë, Let’s Do It falënderon jashtëzakonisht shumë secilin prej kontribuuesve në aktivitetet e “Javës së Tokës”, si dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni me këtë ritëm në mbrojtje të mjedisit.