Mbahet Konferenca “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”: Të bëhemi bashkë kundër ndotjes së ujërave

Let’s Do It ka mbajtur konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Odën e Gjelbër Ekonomike të Amerikës, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e ujit dhe efiçiencën e energjisë. Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se do të ketë një mobilizim gjithëpërfshirës për zgjidhjen […]

Let’s Do It ka mbajtur konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Odën e Gjelbër Ekonomike të Amerikës, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e ujit dhe efiçiencën e energjisë.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se do të ketë një mobilizim gjithëpërfshirës për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me ujërat në Kosovë, ashtu siç ndodhi me Fushatën tre mujore “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Sipas Hasanajt, kjo është domosdoshmëri për shkak të ndotjes së madhe të lumenjve dhe liqeneve të Kosovës, për çka është bërë pak deri më tani.

“Kemi vërejt që ujërat, lumenjtë e liqenet e vendit tonë janë të ndotura. Ne flasim për problemin, por merremi shumë pak me shkakun apo mundësinë e zgjidhjes së tij. Nga përvoja ime, qe shtatë vite që merremi me problemin e ndotjes dhe lumenjtë vetëm sa degradohen. Pra, ka ndotje enorme. Po ua them vetëm një detaj që e kemi vërejtur ne si organizatë: pothuajse shumica e banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhjes së lumenjve nuk janë pjesë e ndërmarrjeve që merren me menaxhim të mbeturinave. Pra, nuk e pranojnë shërbimin, pasi hedhjet e tyre i gjuajnë në lumenj dhe akoma askush nuk e ka gjet një mekanizëm që i detyron banorët, e edhe bizneset që ta pranojnë shërbimin dhe mos ta bëjnë atë ndotje të madhe, që ne e shohim. Andaj, mendoj se ka ardhur koha të ulemi të flasim hapur, të diskutojmë ku janë problemet. Sidomos ndërmarrjet që menaxhojnë mbeturinat e dinë më mirë çka duhet të bëhet dhe si të përdoren mekanizmat dhe ne si organizatë iu ndihmojmë që kjo problematikë të zgjidhjet. E kemi shembullin e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” që kemi arritur të mobilizojmë shumë akterë. Edhe për ujërat duhet të bashkëpunojmë më shumë me komunitetin e me komunat”, ka thënë Hasanaj.

Në anën tjetër, drejtoresha e Odës së Gjelbër Ekonomike të Amerikës, Michelle Thatcher ka thënë se puna që ka bërë dhe po bën Organizata Let’s Do It është shembull që mund të prezantohet në gjithë botën.

“Ndryshime nuk mund të kërkojmë vetëm nga qeveritë por të gjithë duhet të angazhohemi. Këto janë ndryshime, nga të cilat mund të përfitojmë të gjithë. Tani është koha dhe ne po e bëjmë në kuadër të ekspeditave diplomatike. Lets do it Kosova është një nga partnerët tonë dhe ne mund të ua tregojmë historinë e tyre gjithë botës dhe t’i marrim shembull”, ka thënë Thatcher.

Në konferencën e sotme, këshilltari i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti ka prezantuar punën që kanë si ministri për ujin dhe energjinë, teksa ka potencuar rëndësinë e rritjes së vetëdijesimit në mbrojtjen e ujit dhe përdorimit racional të tij.

“Vitin e kaluar kemi miratuar strategjinë e ujërave dhe tani jemi në shqyrtimin e ligjit të ujërave. Tani jemi në fazën fillestare të negociatave me Bankën Botërore për ndërtimin e akumulacioneve në Kosovë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor poashtu ka dhjetëra projekte për menaxhimin e ujërave. Është e rëndësishme që të kemi një vetëdijesim më të madh në mbrojtjen e burimit të ujit dhe përdorimin racional të tij”, ka thënë Sahiti.

Ndërkohë, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albena Reshitaj ka thënë se eficienca është ajo që më së shumti i duhet Kosovës.

“Vendi ynë më shumë se kurrë ka nevojë të kuptojë se si mbrohet mjedisi në vendet e zhvilluara dhe si ndjeken rrugë për mbrojtje të mjedisit. Qeveria e Kosovës për herë të parë është përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit. Ne si institucione duhet të ndajmë nevojat e vendit tonë për energjinë e ripërtërishme, energjinë solare, krijimin e liqeneve artificiale dhe pastaj të mendojmë për të ardhme më të largët, për hidrocentralet. Eficienca është ajo që më së tepërmi i konvenon Kosovës”, ka thënë Reshitaj.

Në konferencën e sotme kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Ballkan Green Foundation, përfaqësues nga Drejtoria e Energjisë Alternative në Kosovë, përfaqësues të CDI-së, drejtori i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Ligjerues nga Fakulteti i Shkencave Matematiko- Natyrore, Departamenti i Biologjisë si dhe akterë të tjerë të rëndësishëm.

Ne fund të konferencës të gjithë akterët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit, fillimisht duke hartuar një plan të përbashkët e mandej secilit t’i ndahen detyra specifike, të gjitha këto në drejtim të kontribuimit të gjetjes së alternativave që dërgojnë drejt një zhvillimi mjedisor të qëndrueshëm.