by Artina Muqiqi
Choose a language:04/12/2018, 17:08
Vazhdon pastrimi i Kosovës – Vullnetarët largojnë mbeturina të shumta në Shtime
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është mbajtur aksion pastrimi përreth hapësirave të Qendrës Rinore në Komunën e Shtimes, nga ku janë larguar dhjetëra thasë me mbeturina. Përveç ekipit të Let’s Do It, aksionit të sotëm i janë bashkuar edhe kryetari i Komunës së Shtimes. Naim Ismajli dhe zyrtarë të tjerë komunal, nxënës […]
Përveç ekipit të Let’s Do It, aksionit të sotëm i janë bashkuar edhe kryetari i Komunës së Shtimes. Naim Ismajli dhe zyrtarë të tjerë komunal, nxënës të Shkollës ‘Emin Duraku”, si dhe vullnetarë të tjerë.
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj u bëri thirrje mësimdhënësve që të merren më shumë me nxënësit sa i përket edukimit mjedisor.
“Një prej faktorëve pse ne e kemi Kosovën jo të pakët është edhe mungesa e edukimit mjedisor nëpër shkolla. Po e shfrytëzoj rastin këtu në fund pothuajse të fushatës që t’u bëjë apel të gjithë mësimdhënësve që të jenë shumë aktiv kur të bie fjala në çështjet e ruajtjes së mjedisit përreth shkollave, por edhe punës me nxënës kur është fjala për edukimin mjedisor. Kjo është një mungesë dhe kjo fushatë e ka arrit këtë momentum që të kthejë kokën edhe ministria e Arsimit. Jemi në fazën e krijimit të modulit të trajnimit që do të certifikohet me ministrisë”, ka thënë Hasanaj.
Ndërsa kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili ka thënë se komuna çdo ditë është aktive në pastrimin e hapësirave publike të qytetit.
“Kjo pjesë këtu është një hapësirë që shfrytëzohet shumë dhe frekuentohet çdo ditë prej qytetarëve. Dhe deshëm që edhe këtu të bëjmë një pastrim në kuadër të pastrimeve që ne pa ndërpre çdo ditë po i bëjmë në lokacione të ndryshme të komunës. Edhe nxënëset në hapësirat që ata i mbulojnë, punëtorët e QKMF-së, të institucioneve të arsimit e gjitha të tjerat. Ne këtë jemi shumë aktiv, nuk jemi tu u ndërprerë aktivitetet, pra çdo ditë shënon një largim të ndonjë deponie por sot është më e veçantë sepse i kemi të gjitha gjeneratat këtu”, tha Ismaili.
Përveç ngritjes së vetëdijes nga qytetarët, u bë thirrje që edhe institucionet të vazhdojnë me shpërndarjen e gjobave për të gjithë ndotësit, bazuar në legjislacionin në fuqi.
Falë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot në tërë Kosovën janë 600 deponi më pak, ndërsa deri më 15 dhjetor ky numër do të arrijë deri në 800 të tilla.
Natyrisht që sfiduese do të jetë mirëmbajtja e deponive që janë pastruar deri më tani, andaj për këtë gjë nevojitet një bashkëpunim i mirë nga ana e institucioneve dhe komunitetit.