Diskutohet për problemet mjedisore të Liqenit të Batllavës dhe zgjidhjen e tyre

Ekipi i Let’s Do It Kosova sot ka mbajtur takim me banorët e fshatit të Orllanit me të cilët është diskutuar mbi sfidat në fushën e mjedisit. Takimi i sotëm me komunitetin është mbajtur në kuadër të Projektit “Improved Waste Management for Improved Water and Environment Protection”, i cili financohet nga Ambasada Kanadeze, ndërsa morën […]

Ekipi i Let’s Do It Kosova sot ka mbajtur takim me banorët e fshatit të Orllanit me të cilët është diskutuar mbi sfidat në fushën e mjedisit.

Takimi i sotëm me komunitetin është mbajtur në kuadër të Projektit “Improved Waste Management for Improved Water and Environment Protection”, i cili financohet nga Ambasada Kanadeze, ndërsa morën pjesë edhe zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe zyrtarë të Komunës së Podujevës.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka shprehur shqetësimin e tij për hudhjen e sërishme të mbeturinave në lokacionet që ishin pastruar më parë nga qytetarët.

Ai kërkoi nga banorët që të përcaktojnë disa hapësira, të cilët më pas do të gjelbërohen dhe do të mund të shfrytëzohen më shumë nga qytetarët.

“Ne kemi qenë këtu me vullnetarët tanë dhe me disa djem dhe nxënës të shkollave, janë larguar një sasi e mbeturinave në tri lokacione. Fatkeqësisht e pashë që kishin filluar prapë me gjuajt. Ne kemi ardhur me ju pyet se ku mundemi me e gjet një lokacion me të gjelbëruar, me i sjellë disa shporta ku mund të jenë për juve dhe njerëzve ku do të vizitojnë këtë zonë. Ju na e propozoni pastaj ne mund ta gjelbërojmë. Është edhe faza tjetër ku ne do e përgatitim një propozim që ka të bëjë me ruajtën e mjedisit të kësaj zone”, tha Hasanaj.

Gjatë takimit të sotëm u tha se mbeturinat nuk hudhen nga banorët, por nga vizitorët e Liqenit të Batllavës, të cilëve u kërkohet që të jenë më të kujdesshëm.

Po ashtu u kërkua vendosja e shportave rreth liqenit si dhe punësimi i punëtorëve për mirëmbajtjen e Liqenit dhe hapësirave përreth tij.

Këshilltari i ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leotrim Sahiti, ka thënë se kanë synim ruajtjen e burimeve ujore të vendit.

Ai tha se gjatë vitit 2019 do të fillojnë ndërtimin e ujësjellësit për banorët e Orlllanit.

“Ne si ministri jemi duke punuar që të kemi edhe burime të tjera ujore. Vetë fakti që në Orllan kemi këtë burim ujor i cili është i vlefshëm për Kosovën duke ditë që kemi problem me të ardhurat uroje. Edhe ju edhe ne jemi me fat që e kemi Batllavën dhe duhet të punojmë ta ruajmë së bashku. Këto zona duhet të mirëmbahen meritojnë të kemi një pamje një menaxhim të mirë. Do të kemi projekte të përbashkëta në ruajtjen e diversitetit të kësaj pjese por edhe ruajtjen e cilësisë për banorët e kësaj ane. Ne në vitin 2019 kemi paraparë fillimin e ndërtimit të ujësjellësit për këtë fshat ku projekt kapë vlerën e 1 milion e 300 mijë euro dhe do të zgjatë tre vite. Për 2019 do të kemi 400 mijë euro që do të jenë për fillimin e implementimit të projektit”, tha Sahiti.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se pavarësisht sfidave, gjendja së fundmi ka filluar të përmirësohet.

“Gjendja është përmirësuar nuk mund të themi që nuk është përmirësuar gjendja, edhe ata kundërshtarët politik e pranojnë se gjendja është ndryshuar për të mirë në këtë fushë. jemi larg të dëshirueshmes dhe asaj të mundshmes. Ne si komunë edhe kompanitë edhe organizatat mund të bëjmë më shumë  në vetëdijesimin e banorëve dhe shfrytëzuesve të kësaj hapësirë. Për mos të them edhe i keq shfrytëzojnë. Është për tu përgëzuar këto aksione”, ka thënë Rudari.