by Artina Muqiqi
Choose a language:15/12/2018, 16:34
803 deponi më pak në Kosovë falë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”
Pas më shumë se 90 ditë pune intensive, dita e sotme – 15 dhjetori, shënon fundin e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovë”, të nisur më 15 shtator. Përgjatë tre muajve u mbajtën aksione të shumta pastrimi në tërë territorin e Kosovës, dhe shumë aktivitete të tjera për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit […]
Pas më shumë se 90 ditë pune intensive, dita e sotme – 15 dhjetori, shënon fundin e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovë”, të nisur më 15 shtator.
Përgjatë tre muajve u mbajtën aksione të shumta pastrimi në tërë territorin e Kosovës, dhe shumë aktivitete të tjera për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit dhe bërjen prioritet tek institucionet të kësaj çështjeje.
Gjatë kësaj periudhe, falë angazhimit të Let’s Do It që ka implementuar Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, angazhimit të mijëra vullnetarëve si dhe angazhimit të institucioneve, u pastruan 803 deponi ilegale dhe shumë hapësira publike nëpër qytete e përgjatë brezave rrugor.
Fushata për pastrimin e Kosovës arriti të mobilizojë rreth 10% të popullsisë së Kosovës, me rreth 200 mijë qytetarë anekënd Kosovës.
Rezultati i shënuar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” ka bërë që shteti i Kosovës të shpallet vendi me organizimin më të suksesshëm të Fushatës për vitin 2018 nga Let’s Do It World, në mesin e qindrave vendeve të botës që janë pjesë e kësaj Lëvizje Globale.
Për këtë, Kosova do të shpërbehet me çmim nga Let’s Do It World në Konferencën për Pastrimin e Botës, e cila mbahet në Tallin të Estonisë nga 24 deri më 27 janar 2019, ku marrin pjesë përfaqësues nga 158 shtete të ndryshme.
Pas përfundimit të kësaj Fushate, Let’s Do It nuk ka se si të mos i falënderojë qindra mijëra vullnetarë që iu përgjigjen pozitivisht thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje në aktivitetet tona, institucionet për angazhimin e madh të tyre këtë vit, anëtarë të task forcave që u angazhuan direkt në implementim të Fushatës, të gjitha komunat e Kosovës, shoqërinë civile dhe mediet për bashkëpunimin.
Po ashtu, Let’s Do It ju njofton se me 10 janar 2019 do të mbahet Konferenca përmbyllëse e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, në të cilën do të prezantohen të gjitha të arriturat e Fushatës, si dhe sfidat me të cilat jemi përballur gjatë kësaj kohe.
Gjatë kësaj konference, po ashtu do të bëhet ndarja e fondit prej 1.2 milionë eurosh për komunat e suksesshme në implementimin e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, fondi i cili do të shfrytëzohet për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit për vitin 2019.
Në fund, u bëjmë thirrje komunave që pas kësaj fushate të pastrimit të angazhohen në mirëmbajtjen e hapësirave publike, të mos lejojnë krijimin e deponive të reja ilegale dhe të punojnë në shtrirjen e shërbimeve për mbeturina dhe krijim të zonave të gjelbërta.
Po ashtu, ju bëjmë thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga praktika e hedhjes së mbeturinave në vendet që është e ndaluar, sepse vetëm në këtë mënyrë ndikojnë në mirëmbajtjen e hapësirave që janë pastruar gjatë fushatës.