Studentë e vullnetarë japin mesazhe për mirëmbajtjen e hapësirave që janë pastruar

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, sot për të tretën herë është mbajtur aksion pastrimi në Kampusin Universitar “Hasan Prishtina”, nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina. Aksioni i sotëm u realizua në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe profesorin Bylbyl Sokolin. Vullnetarë të Let’s Do It Kosova dhe […]

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, sot për të tretën herë është mbajtur aksion pastrimi në Kampusin Universitar “Hasan Prishtina”, nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina.

Aksioni i sotëm u realizua në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe profesorin Bylbyl Sokolin.

Vullnetarë të Let’s Do It Kosova dhe studentët filluan nga ora 08:00 aksionin përreth hapësirave të Kampusit, por për dallim nga aksionet e kaluara kjo hapësirë nuk kishte nevojë për intervenime të mëdha, pasi ishte mirëmbajtur.

Let’s Do It Kosova falënderon stafin dhe studentët e Universitetit të Prishtinës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për mirëmbajtjen e kësaj hapësire të frekuentuar nga studentët.

Andaj, i inkurajojmë që të vazhdojnë me mirëmbajtjen e kësaj hapësire, në mënyrë që të mos krijohet nevoja e organizimit të sërishëm të aksioneve të pastrimit.

Let’s Do It Kosova ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aksionet e pastrimit dhe aktivitete të tjera vetëdijesuese për rëndësinë e mirëmbajtjes së mjedisit.

Deri më tani në tërë Kosovën janë pastruar rreth 400 deponi ilegale të mbeturinave.

Javën që shkoi kanë filluar edhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor, që synojnë rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.