Pastrohet një nga deponitë më të mëdha në Pejë

Mbi 50 thasë me mbeturina dhe gjashtë kamionë me mbetje interte janë larguar sot nga njëra prej deponive më të mëdha në Komunën e Pejës, e lokalizuar në fshatin Nakëll, i cili banohet me shumicë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Në aksionin e sotëm që u organizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, […]

Mbi 50 thasë me mbeturina dhe gjashtë kamionë me mbetje interte janë larguar sot nga njëra prej deponive më të mëdha në Komunën e Pejës, e lokalizuar në fshatin Nakëll, i cili banohet me shumicë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Në aksionin e sotëm që u organizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, përveç ekipit të Let’s Do It, morën pjesë mbi 50 vullnetarë, banorë të fshatit si dhe zyrtarë komunal.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj tha se përveç pastrimit të kësaj deponie në fshatin Nakëll, bashkë me zyrtarë komunal sot janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit për aksione të tilla.

“Ne kemi ardhë sot bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe të ambientit që ta ndihmojmë pastrimin e kësaj deponie mirëpo edhe të dakordohemi për një vazhdim të bashkëpunimit për pastrimin edhe të lokacioneve të tjera me mbeturinat që gjenden në territorin e Komunës së Pejës. Peja ka qenë gjithmonë model i mirë për angazhimin e këtyre fushatave dhe aksioneve të cilat janë ndërmarrë në vazhdimësi, qoftë prej organizatës sonë, qoftë prej vetë komunës”.

Hasanaj tutje kërkoi nga Ministria e Infrastrukturës që të vazhdojë me pastrimin e brezit rrugor.

“Problem vazhdon të jetë brezi rrugor. I bëj apel Ministrisë së Infrastrukturës që të vazhdojnë me pastrimin e brezit rrugor, sepse kjo po ndikon keq edhe në imazhin e vendit, të Pejës por edhe të gjithë Kosovës”, tha tutje Hasanaj.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Pejës, Rajan Arapi ka thënë se sot i erdhi fundi shqetësimit të banorëve për këtë deponi, një ndër më të mëdhatë në Pejë.

“Po bëhet një punë e madhe, është një nga deponitë më të mëdha të qytetit, e cila është identifikuar kohë më parë, në fshatin Nakëll. Banorët kanë qenë mjaft shumë të prekur nga kjo deponi, por sot besoj që do t’i vjen fundi dhe besoj që do ta zgjidhim një problem i cili ka shqetësuar mjaft shumë banorët e kësaj ane”, ka thën Arapi.

Aksionin e sotëm me makineri e ndihmuan Kompania “Ambienti”, si dhe operatori “Ke Luani”.

Po ashtu, Let’s Do It sot ka mbajtur trajnimin “Vullnetarizmi për ambientin” me 27 nxënës të Shkollës së Mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë.

Ky trajnim u mbajt në kuadër të projektit “Let’s Green It”, i cili u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe u përkrahë nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Institute for Development Policy (INDEP), ndërsa implementohet nga “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Gjatë trajnimit të sotëm u theksua rëndësia e angazhimit vullnetarë, sidomos të të rinjve për ruajtjen e mjedisit.

Si rezultat i këtij trajnimi, ekipi i Let’s Do It së bashku me nxënësit kanë vendosur që të organizojnë aksion pastrimi në hapësirën përreth kësaj shkolle, ku do të marrin pjesë rreth 200 nxënës.

Mbajtja e trajnimeve të tilla me nxënës ngrit vetëdijen e tyre për mirëmbajtjen e hapësirave shkollore.