by Besnik Shabiu
13/11/2018, 17:01
Pastrohet Lagjja e Romëve në Mitrovicë
Sot në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” u organizua aksion pastrimi në Lagjen e Romëve në Komunën e Mitrovicës. Në aksionin e sotëm morën pjesë mbi 100 vullnetarë nga ku u larguan rreth 100 thasë me mbeturina dhe 6 kamionë me mbetje të përziera, të larguara nga kompania “Uniteti”. Aktiviteti i sotëm u organizua […]
Në aksionin e sotëm morën pjesë mbi 100 vullnetarë nga ku u larguan rreth 100 thasë me mbeturina dhe 6 kamionë me mbetje të përziera, të larguara nga kompania “Uniteti”.
Aktiviteti i sotëm u organizua në kuadër të projektit “Let’s Green It”, i cili u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe u përkrahë nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ndërsa implementohet nga “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Përveç ekipit të Let’s Do It, në aksion morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës dhe zyrtarë të tjerë komunal, nxënësit dhe mësimdhënësit e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë”, dhe banorë të kësaj lagjeje.
Besnik Shabiu nga Let’s Do It Kosova ka thënë se të gjithë duhet të angazhohen për mirëmbajtjen e hapësirave ku jetojnë komunitetet pakicë.
“Jemi në një lagje me Komunitetin Rom. Këto hapësira ku jetojnë komunitete, janë në gjendje të keqe në aspektin e ruajtjes së mjedisit. Këto lagje po janë të ndotura e me mbeturina, edhe në komuna tjera, jo vetëm në Mitrovicë, andaj nevojitet një vullnet më i madh institucional që këto hapësira të trajtohen më me prioritet që të ngritët vetëdija e komunitetit. Projekti ka për qëllim që hapësirat ku jetojnë komunitetet të pastrohen edhe të gjelbërohen e të vendosen shporta si dhe të bëhen hapësira rekreative. Është përgjegjësi e jona dhe institucioneve që të punohet më seriozisht. Aksioni po vazhdon në gjithë Kosovën dhe ky do të jetë një mesazh i mirë që viteve tjera të mos flitet për pastrim, por për mirëmbajte”, ka thënë Shabiu.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Muja tha se shpreson që aksioni disa mujor për pastrimin e Kosovës, të ndikojë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
“Edhe Mitrovica është pjesë e këtij aksioni për pastrimin e Kosovës, e cili ka filluar më shumë se një muaj dhe është duke ndodhur në tërë Kosovën. Nuk është mirë me pas shumë punë, është mirë secilën herë të ketë më pak mbeturina. Besoj se ky aksion tre mujor ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Ne kemi thënë që është mirë ta ndërrojmë moton që mos ta ndotim Kosovën, apo mos ta shndërrojmë Kosovën në deponi. Është për admirim vullneti i vullnetarëve. I përgëzoj të gjithë për angazhimin e tyre. Janë duke bërë punë të shkëlqyer, por edhe duke i dhënë një lloj mësim të gjithë të rinjve se mbrojtja e ambientit shpreh dëshirën ndaj shteti. Sa më shumë që e ruajmë ambientin, tregojmë nivelin e dashurisë ndaj vendit”, ka thënë Muja.
Let’s Do It fton të gjithë vullnetarët që të bëhen pjesë e aksioneve të pastrimit dhe aktiviteteve të tjera me qëllim të ngritjes së vetëdijes të qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.