by Besnik Shabiu
15/11/2018, 17:57
Në tryezën e Mitrovicës ngritet si shqetësim mungesa e kushteve për punëtorët e kompanive të pastrimit
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryeza e radhësnë rajonin e Mitrovicës me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani. Në tryezën e sotme u ngrit si shqetësim mungesa e kushteve elementare për punë të punëtorëve të kompanive të […]
Në tryezën e sotme u ngrit si shqetësim mungesa e kushteve elementare për punë të punëtorëve të kompanive të pastrimit, të cilët përveç mjeteve të punës, kanë edhe mungesa të uniformave. Për ta përmirësuar këtë gjendje, Let’s Do It ka filluar me shpërndarjen e uniformave dhe mjeteve të punës për punëtorët e pastrimit. Vetëm sot, janë shpërndarë uniforma pune për 70 punëtorë të Kompanisë së Pastrimit “Uniteti”, ndërsa ditëve në vijim do të shpërndahen edhe mbathje dhe lopata.
Në tryezën e sotme në Mitrovicë morën pjesë zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe kryesues të task forcave të komunave të rajonit të Mitrovicës, si Mitrovica, Vushtrria dhe Skenderaj.
Komunat në fjalë prezantuan të arriturat e fushatës që nga 15 shtatori, ku deri më tani janë pastruar dhjetëra deponi ilegale të mbeturinave, më të mëdhatë nëpër komuna. Po ashtu janë mbjell qindra fidanë si dhe janë përcaktuar lokacionet për mbetjet inerte.
Zyrtarë nga Komuna e Vushtrrisë njoftuan se tashmë kanë përcaktuar lokacionet për hedhjen e mbetjeve inerte. Ata bën të ditur se nga 15 shtatori e deri më tani, Inspeksioni i Komunës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë realizuar një plan veprimi për gjoba, ku deri më tani janë shqiptuar shtatë të tilla për ndotësit e mjedisit.
Komuna u nda e kënaqur edhe me bashkëpunimin qytetar gjatë fushatës, ku qytetarët po u përgjigjen pozitivisht thirrjeve për organizimin e aksioneve, si dhe po raportojnë hedhjen e mbeturinave nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Nga 15 shtatori e deri më tani, në këtë komunë janë grumbulluar mbi katër mijë thasë me mbeturina, si dhe janë janë larguar dhjetëra ton mbetje inerte. Vlen të theksohet që janë dashur tetë ditë pune për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në këtë komunë, nga ku janë larguar mbi 300 kamionë me mbeturina. Në këtë komunë janë identifikuar 25 deponi kryesisht me mbetje inerte dhe 11 prej tyre tashmë janë pastruar që nga 15 shtatori.
Po ashtu, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” deri më tani janë shpërndarë 4500 kontinjerë, gjersa do të vazhdojë shpërndarja e pesë mijë të tjerëve.
Lokacionet për mbetje inerte janë përcaktuar edhe në Komunën e Mitrovicës. Zyrtarë të kësaj komune gjatë tryezës së sotme kanë bërë të ditur se tashmë kanë përpiluar edhe planin për menaxhimin e mbetjeve inerte në këtë komunë. Po ashtu, në këtë komunë nga 15 shtatori e deri më tani janë pastruar pjesa më e madhe e deponive përgjatë akseve rrugore.
Mitrovica deri më tani ka larguar mbi 50 ton mbetje inerte nga lokacione të ndryshme, gjersa kanë përpiluar edhe planin për mbjelljen e fidaneve.
Gjatë tryezës së sotme u bë e ditur se në Komunën e Skenderajt janë identifikuar 65 deponi ilegale të mbeturinave, 30 prej të cilave janë pastruar deri më tani, nga ku janë larguar rreth 502 ton mbeturina. Deri më tani, në këtë komunë janë mbjellur rreth 1505 fidane.
Edhe kjo komunë ka caktuar vendin për hedhjen e mbetjeve inerte, si dhe ka shpërndarë mijëra kontinjerë për familjet. Po ashtu, në kuadër të Fushatës janë pastruar edhe akset rrugore.
Disa nga vështirësitë që u theksuan në tryezën e sotme nga komunat e rajonit të Mitrovicës ishin: mungesa e makinerive dhe mjeteve logjistike për kompanitë e pastrimit, mungesa e kamerave në lokacionet nga ku janë larguar deponitë më të mëdha ilegale, si dhe numri i vogël i inspektorëve komunal.
Në tryezën e sotme në Mitrovicë, drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur vullnet më të madh politik se tani për ta mbështetur fushatën për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit.
“Gjithmonë ka hapësirë me u bë më mirë. Neve na intereson ta shohim ku kanë qenë ato problemet kryesore që nuk kemi mund t’i arrijmë rezultatet që kemi dashtë. Është krijuar një momentum që deri më tani s’ka qenë, është krijuar një efekt që deri më tani nuk ka qenë dhe është rasti që ta shfrytëzojmë dhe ta mbajmë këtë dinamikë, këtë fushatë, që komunat dhe institucionet të vazhdojnë në këtë trend për ta mbrojtur mjedisin”, ka thënë Hasanaj.
Ndërsa, kryesuesi i Task Forcës Teknike nga MMPH-ja për fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, Besmir Kokollari, edhe njëherë dëshmoi përkrahjen e Ministrisë për komunat në këtë fushatë.
“Si informatë për të gjitha komunat, MMPH-ja në këtë iniciativë për t’i mbështetur, kemi ndarë fond prej 1.2 milionë euro për komunat që tregohen më të suksesshme në eliminimin e mbeturinave. Në shumë komuna shtrirja nuk është në të gjitha zonat, komunat të bëjnë zgjidhje deri në përfundim të kësaj fushate, të ofrojnë shërbimin për mbledhjen e mbeturinave përndryshe do kemi situatë të njëjtë sikur përpara 15 shtatorit”, ka thënë Kokollari.