Mbyllet tregu i paligjshëm te ‘Fadil Vokrri’, thirrje kompanisë “Pastrimi” që t’i largojë thasët me mbeturina

Ka kaluar një javë që kur vullnetarë të Let’s Do It Kosova, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” kanë pastruar për së dyti herë hapësirën afër stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet, nga ku u larguan afër 50 thasë me mbeturina. Por, sot gjatë monitorimit, ekipi i Let’s Do It Kosova vërejti që thasët me […]

Ka kaluar një javë që kur vullnetarë të Let’s Do It Kosova, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” kanë pastruar për së dyti herë hapësirën afër stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet, nga ku u larguan afër 50 thasë me mbeturina.

Por, sot gjatë monitorimit, ekipi i Let’s Do It Kosova vërejti që thasët me mbeturina të mbledhur nga vullnetarët, nuk janë larguar fare nga aty, ndonëse për një gjë të tillë ishin njoftuar përgjegjësit.

Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova i bën thirrje edhe një herë kompanisë “Pastrimi” që të largojë afër 50 thasë me mbeturina që kanë mbetur aty tash e një javë.

Po ashtu, Let’s Do It Kosova falënderon Komunën e Prishtinës për vendimin që ka marrë për mbylljen e tregut që ishte funksional në atë pjesë, ndonëse ishte i paligjshëm dhe nuk plotësonte asnjë kriter të vetëm për të ushtruar atë veprimtari.

Pikërisht për shkak të atij tregu, Let’s Do It Kosova ishte detyruar që brenda javës të pastronte dy herë të njëjtën hapësirë.

Aksioni i parë te Stadiumi “Fadil Vokrri” kishte zgjatur tri ditë dhe kishte rezultuar me largimin e 35 kamionëve dhe 150 thasëve me mbeturina.

Vetëm dy ditë pasi kishte përfunduar aksioni i parë, ajo hapësirë ishte mbushur sërish plot mbeturina, pavarësisht që Let’s Do It Kosova kishte kërkuar nga inspektorët që ta mbikëqyrin atë zonë dhe t’i gjobisin të gjithë ata që e ndotin.

Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që ta ruajnë mjedisin dhe të bashkohen në aksionet e pastrimit që po realizohen në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka nisur më 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.