Aksionit të pastrimit në Obiliq i bashkohen mbi 200 vullnetarë

Mbi 200 vullnetarë i janë bashkuar aksionit të sotëm në Obiliq, nga ku u larguan qindra thasë me mbeturina, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Nga aksioni i sotëm në Obiliq u pastruan disa zonë në qytet, oborret dhe hapësirat përrreth objekteve arsimore dhe shëndetësore, si dhe pastrimi i një deponi inerte nga eskavatorët […]

Mbi 200 vullnetarë i janë bashkuar aksionit të sotëm në Obiliq, nga ku u larguan qindra thasë me mbeturina, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Nga aksioni i sotëm në Obiliq u pastruan disa zonë në qytet, oborret dhe hapësirat përrreth objekteve arsimore dhe shëndetësore, si dhe pastrimi i një deponi inerte nga eskavatorët e KEK-ut.

Besnik Shabiu nga Let’s Do It Kosova ka thënë se që nga fillimi i aksionit e deri më tani janë larguar 200 deponi ilegale të mbeturinave.

“Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë, se jemi bashkë dhe jemi gati që Kosovën ta dërgojmë drejt proceseve të reja, për një Kosovë pa mbeturina. Prej momentit që po flasim, prej 15 shtatorit, janë 200 deponi ilegale të cilat janë eliminu në të gjithë territorin e Kosovës. E mira është që po bashkohen edhe të rinjtë  . Ky është mesazhi më i qartë se edukimi duhet të fillojë pa dyshim nga rinia. Përgjegjësia institucionale, qytetare është që pas 15 dhjetorit t’i mbajmë këto hapësira të pastra”, ka thënë Shabiu.

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se Obiliqi është një nga komunat më me prioritet për mbrojtje të mjedisit, për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

“Sot jemi këtu për të dhënë edhe një herë mesazhin tonë, që ndotësit në të ardhmen do të gjobiten. Dje kemi nënshkruar udhëzimin administrativ për gjobat për hedhje të mbeturinave. Vendimi bëhet i plotfuqishëm javën që vjen, shtatë ditë pas nënshkrimit dhe nga java që vjen ata që hedhin mbeturina në vendet e palejuara, do të ndëshkohen, kështu që do ta shfrytëzojmë këtë javë që të jemi në aktivitete gjithandej nëpër Kosovë, që të japim sa më shumë informacione rreth udhëzimit administrativ dhe që të kërkojmë nga qytetarët për ambientin dhe mjedisin ku ata jetojnë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se po angazhohen për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe shndërrimin e tyre në zona të gjelbëruara.

“Duke u bazuar që ndotësit më të mëdhenj janë në komunën tonë, po mundohemi që të paktën deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që të qëndrojmë në pjesë të gjelbëruara, të pyllëzuara. Deri më tani janë eliminu 19 deponi ilegale, inerte dhe në total mbeturina janë bartë rreth 3430 metër kub. Do të vazhdojmë edhe më tutje. Do të vazhdojmë për krijim të hapësirave të gjelbra. Sot kemi pasë një rast edhe me bashkësinë islame, kemi bërë një apel që nëpër xhamia të kërkohet nga qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ambientit, nesër do të jetë gjithashtu ora e parë në të gjitha shkollat, kërkohet nga drejtoria e arsimit që të jetë temë fokusi ambienti që bashkërisht të bëhemi të kujdesshëm për një ambient të pastër”, ka thënë ai.

Let’s Do It Kosova ju njofton se në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, përvec Obiliqit, aksione pastrimi ka pasur edhe në lagjen Taslixhe në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Pashtriku”, nga ku janë larguar dhjetëra thasë me mbeturina, si dhe Komuna e Prishtinës ka marrë përgjegjësinë që të eliminojë këtë deponi ilegale të mbeturinave.

Aksione pastrimi për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave sot pati edhe në Malishevë, Gjakovë dhe Istog.

Let’s Do It Kosova ju njofton se aktivitetet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” që kanë filluar nga 15 shtatori, do të vazhdojnë deri më 15 dhjetor.