by Besnik Shabiu
10/09/2018, 20:54
Në 800 xhami të Kosovës bëhet thirrje për pjesëmarrje në aksionin e madh “Ta Pastrojmë Kosovën”
Në 800 xhami të Kosovës, të premten do të ligjërohet për ambientin dhe do të bëhet thirrje për pjesëmarrje në aksionin e madh “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili nis nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2018. Kjo është arritur falë bashkëpunimit të Let’s Do It Kosova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me […]
Kjo është arritur falë bashkëpunimit të Let’s Do It Kosova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Pas një takimi me Myftiun Naim Tërnava, drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, i ka ftuar edhe bashkësitë tjera fetare që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Përfundimisht po bëhemi bashkë të gjithë ata që munden me ndihmu për me pas vendin tonë të pastër. Falenderoj myftiun që na priti sot në takim dhe na ofroi mbështetje për aksionin e madh të pastrimit. Andaj, ftoj edhe bashkësitë tjera fetare që të bashkohen në misionin tonë, për ta bërë Kosovën vend më të pastër dhe më të mirë për të jetuar”, ka thënë Hasanaj.
Edhe u.d i ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka falendëruar BIK-un për bashkëpunimin.
“BIK-u është institucion i respektuar, ka 800 xhami dhe në të gjitha xhamitë do të ketë thirrje për pastrim. Ne me BIK-un do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, mirëpo për këtë temë na bashkon pastërtia e vendit tonë”.
Ndërsa, myftiu Naim Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës do ta mbështesë këtë aksion bazuar edhe në parimet e fesë Islame.
“Jam i gatshëm si myfti që të japim kontributin tonë për vepra të mira. Bazuar në fenë tonë, islami kërkon që vendi dhe të gjithë të jemi të pastër. Po që se e përkthejmë pastërtinë në term tjetër, ajo ka kuptimin e jetës. BIK-u në ditën e xhuma në të gjitha xhamitë do të mbajnë ligjërata për ruajtjen e ambientit”, ka thënë ai.